Sot mbaron mundësia e studentëve në Maqedoninë e Veriut për të aplikuar për shujtat studentore

Përmes formës elektronike, studentët e Maqedonisë së Veriut edhe sot do të mund të aplikojnë për të fituar mbështetjen financiare mujore prej 2400 denarë për ushqim, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë parashtrimit të aplikimit, studentët duhet të bashkëngjisin edhe formularët e plotësuar dhe të nënshkruar Fletëparaqitje për marrjen e të drejtës së subvencionimit të racionit për student dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të shënuara në fletëparaqitje për marrjen e të drejtës së subvencionimit të racionit për student ndërsa gjithashtu bëjmë thirrje që të shikojnë dokumentin – Udhëzime për bashkëngjitjen e llogarisë rrjedhëse gjatë aplikimit për subvencionimin e racionit për student”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

Mbështetja mujore prej 2 400 denarëve do të mund të merret gjatë nëntë muajve të vitit akademik 2022/23, ndërsa për të fituar këtë të drejtë, studentët duhet të aplikojnë vetëm edhe sot përmes adresës https://e-uslugi.mon.gov.mk/.

Studentët duhet të plotësojnë kushtet në vazhdim:

të mos jenë në marrëdhënie të rregullt pune;
të mos jenë të regjistruar si bujq individual dhe
të mos kenë të ardhura mujore në asnjë bazë më të madhe se paga neto minimale në vitin vijues.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në nëntor me 58 vota “për” kaluan propozim-ndryshimet e Ligjit për shujtat e subvencionuara të studentëve. Seanca e 91-të e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në rend të ditës e pat edhe votimin e ndryshimeve të Ligjit për shujtë të subvencionuara, ndryshime të cilat u abstenuan nga 21 deputetë. Ky propozim-ligj u miratua me procedurë të shkurtuar. Ligji planifikon që deri më 15 mars të vitit 2023, studentët të paguhen 120 për shujtë ditore ose 2400 denarë në muaj.

Ndryshe, Kuvendet studentore universitare dje pasdite kanë marshuar për të kërkuar të drejtat e tyre. Ata protestuan edhe të hënën. Dhjetëra studentë përballë Parlamentit dërguan mesazhe përmes pankartave “Nuk mëson kur ke uri dhe të ftohtë”, “Ushqim studenti apo bast politik”, “Na dridhemi nga i ftohti, jo nga frika”. Fjala “Rezistencë” ishte pikturuar edhe në rrugën përballë Kuvendit.