Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Veçanta – 3 Dhjetori, edhe këtë vit u shënua nga Katedra e Edukimit Special dhe Rehabilitimit e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovë. Për nder të kësaj kategorie të shoqërisë, Universiteti ynë organizoi panel diskutimi, me temë: “Sfidat dhe barrierat e inkluzionit në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Fillimisht, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, bashkë me Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Prorektorin për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, i pritën në takim studentët e kësaj kategorie, Gadaf Memedi dhe Lavdrim Veli.

Prodekania për Shkencë e Fakultetit Pedagogjik, Doc. Dr. Teuta Rasimi, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se shënimi i 3 Dhjetorit në Fakultetin Pedagogjik të UT-së tani më është bërë një traditë, pasi që për çdo vit me aktivitete të ndryshme jemi munduar që personave me aftësi të veçanta t’u kushtojmë vëmendje dhe rëndësi të duhur.

Shefi i Katedrës së Edukimit Special dhe Rehabilitimit, Prof. Dr. Buniamin Memedi tha se qëllimi i këtij paneli ishte që të flasim për sfidat dhe barrierat e inkluzionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të cilat ballafaqohen sot mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta. “Pjesëmarrësit në këtë panel ua paraqitën të pranishmëve ligjet afirmative, të cilat zbatohen në RMV për fushën e inkluzionit. E me të gjitha këto bindja afirmative ka edhe mangësitë për të cilat diskutuam sot këtu. U bisedua për filozofinë e veprimit inkluziv, për atë se të gjithë fëmijët duhet të përfshihen në sistemin e rregullt arsimor, për rolin e ekipit inkluziv të shkollës, për rolin e qendrave burimore mbështetëse të ekipit inkluziv të shkollës, por njëkohësisht u diskutua edhe për rolin e asistentit arsimor në shkollat e rregullta në nivel të RMV-së. Diskutuam edhe për atë që ka të bëjë me intervenimin e hershëm në një punë, e cila duhet të bëhet për nxënësit, ku ndodh edhe përgatitja e këtyre nxënësve me nevoja të veçanta. Edhe pse janë të pranuar shumë asistentë personalë, për momentin në RMV edhe më tutje nëpër shkolla mungojnë edukatorë të cilët janë bartës të procesit të inkluzionit. Ne urojmë që të pranohen sa më tepër, sepse edhe në hapësirën shqiptare tanimë janë krijuar kuadro, ka mbi 160 studentë të cilët kanë diplomuar në Universitetin e Tetovës dhe këta do të na ndihmonin në procesin e inkluzionit”, tha profesori i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Buniamin Memedi.

Po ashtu, qëndrimet e tyre rreth kësaj tematike i shfaqën edhe drejtoresha e Shkollës Fillore “Faik Konica” nga Dobroshti Gjulser Rexhepi, si dhe edukatoret speciale dhe rehabilitatore, Adelina Haskaj nga Shkupi dhe Adile Rakipi nga Tetova.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe Prorektori për Shkencë i UT-së, Prof. Dr. Agon Memeti, profesorë, drejtorë të shkollave fillore, studentë, arsimtarë, defektologë, si dhe prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta.