Janë liruar dy aktivistet që u arrestuan gjatë protestët për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, përmes një postimi në Facebook.

Kjo organizatë e ka quajtur të panevojshëm dhe jolegjitim arrestimin e tyre, përcjell Klankosova.tv.

“Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi t’i lirojë dy aktivistet e arrestuara për protestën e datës 1 dhjetor në kundërshtim të vrasjes së grave. Arrestimi i tyre i panevojshëm dhe jolegjitim, veç sa na jep forcë për të vazhduar dhe zgjeruar rezistencën tonë të drejtë në kërkim të sigurisë dhe lirisë për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë”, thuhet në postimin e kësaj organizate.

Ndryshe, për arrestimin e dy aktivisteve, pati reagim edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u shpreh se se aktivistët kanë të drejtat dhe liritë e plota qytetare për të protestuar ndaj çdo institucioni.