Inteligjenca amerikane: Luftimet në Ukrainë do të ngadalësohen gjatë dimrit

Luftimet në Ukrainë janë ngadalësuar dhe kjo ka të ngjarë të vazhdojë në muajt e ardhshëm të dimrit, thonë agjencitë e inteligjencës amerikane.

Megjithatë, nuk ka pasur prova të zbehjes së rezistencës nga ana e forcave ukrainase, tha drejtuesja e inteligjencës amerikane Avril Haines, shkruan BBC.

Ajo tha se të dyja palët do të përpiqen të “riparojnë, rifurnizojnë dhe rindërtojnë” për çdo kundërsulm në pranverë.

– Advertisement –
Ky njoftim vjen pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike të energjisë së Ukrainës.
Lufta në Ukrainë tashmë është në muajin e nëntë, por Rusia ka humbur mbi gjysmën e tokës që pushtoi.

Haines tha në një forum të mbrojtjes në Kaliforni se shumica e luftimeve janë aktualisht rreth rajonit Bakhmut dhe Donetsk të Ukrainës lindore.

Ajo tha se luftimet janë ngadalësuar pas tërheqjes së trupave ruse nga perëndimi i rajonit të Hersonit muajin e kaluar.

“Ne po shohim një lloj ritmi të reduktuar tashmë të konfliktit… dhe presim që kjo ka të ngjarë të jetë ajo që do shohim në muajt e ardhshëm”, tha ajo.