Një emigrant kaloi kufirin Marok-Spanjë me parashutë, duke shmangur autoritetet e enklavës së Melijës.

Sipas përfaqësuesve të qeverisë spanjolle në enklavën afrikano-veriore, dy persona që ishin dëshmitarë të këtij fluturimi të paligjshëm njoftuan policinë.

“Patrulla shkoi menjëherë në zonë, por nuk e lokalizuan dot emigrantin”, shton komunikata e policisë.
Videoja e zotëruar nga gazeta lokale “El Faro” tregon një person duke fluturuar me parashutë dhe që zbret pranë një rruge që ndodhet në dy gardhe paralele kufitare, që janë 10 metra të lartë dhe 12 km të gjatë.

Melija është një nga pikat kryesore të hyrjes së emigrantëve që kërkojnë të futen në territor evropian nga Maroku. Kjo pikë kufitare është vetëm një nga dy pikat mes Bashkimit Evropian dhe një vendi afrikan. Tjetra është Ceuta, gjithashtu enklavë spanjolle.