“Po punojmë me përkushtim përmes masave konkrete që nga fillimi i vitit të ardhshëm të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, sidomos për amvisëritë. Është duke u shqyrtuar opsioni i vendosjes së blloqeve të konsumit të energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël dhe për momentin nuk po shqyrtohet ndryshimi i blloqeve për amvisëritë. Llogaritjet tona fillestare janë se pavarësisht rritjes së TVSH-së për energjinë elektrike nga 1 janari, ajo nuk do të ndikojë në çmimin përfundimtar të energjisë elektrike për amvisërit”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media të cilën e mbajti së bashku me Drejtorin Gjeneral të SHA EMV, Vasko Kovaçevski.

Vendimi për çmimin e energjisë elektrike që nga 1 janari do t’i dorëzohet Furnizuesit Universal nga EMV, siç tha Bekteshi, do të dihet deri në fund të muajit, ndërsa përllogaritjet përfundimtare do të shpallen nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

“Për ata që kanë të ardhura mesatare në vendin tonë nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike, vendimi për ndryshim të mundshëm të çmimit të energjisë elektrike nga 1 janari do të jetë në interes të qytetarëve. Nuk është e drejtë në kohë krize, amvisërit me të ardhura më të larta të kenë të njëjtin çmim si qytetarët me të ardhura mesatare. Disa amvisëri në vend shpenzuan më shumë se disa kompani të mëdha. Po flasim për mbi 30-40 megavat në muaj, që do të thotë se ato amvisëri do të paguajnë sipas kushteve të tregut, e pse jo edhe me diferencë nga EVN Home dhe EMV, tha ministri Bekteshi.

Drejtori i SHA EMV, Vasko Kovaçevski, tha se SHA EMV nga janari deri në nëntor ka prodhuar 3.373 gigavat orë nga objektet e veta dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo është një rritje prej 26%. SHA EMV ka obligim nga Qeveria për furnizim shtesë të subjekteve energjetike, institucioneve shtetërore dhe sektorit të biznesit, dhe sasia e energjisë që EMV nuk e prodhon për ta plotësohet me prokurim përmes EMV shitjes.

 

“Kemi një kapacitet të shtuar për nxjerrjen e qymyrit nga depozitat tona, kemi lidhur kontrata për blerjen e qymyrit nga Shqipëria dhe sot është arritur dërgimi i sasive të reja të qymyrit nga Greqia prej 600 mijë tonë në 12 muajt e ardhshëm, pasi ka arritur çmimi më i ulët i qymyrit prej 59 euro për ton, që është çmimi më i ulët i arritur në Evropë. Kemi edhe kontratë të re për dorëzimin e mazutit deri në qershor të vitit të ardhshëm, po ashtu jemi të pajisur me thëngjill dhe naftë deri në fund të sezonit të ngrohjes”, tha drejtori Gjeneral i EMV-së Vasko Kovaçevski.

Drejtori informoi se blerjet e gazit natyror janë bërë në baza mujore dhe për muajin dhjetor janë siguruar sasitë e përgjithshme për termocentralet dhe është lidhur marrëveshje për blerjen e energjisë termike me TETO-n me çmim të rregulluar dhe në fund të dhjetorit do të shpallet thirrje për blerje gazi për periudhën janar-prill.

“Furnizimi me energji elektrike është i sigurt dhe stabil, prodhimi është rritur dhe nuk ka ndërprerje në furnizimin e energjisë elektrike. TEC Oslomej dhe TEC Negotino sërish janë përfshirë në prodhim, po punohet për zgjidhjen e problemit me transformatorin për bllokun 3 në REK Manastir”, tha drejtori Kovaçevski