ASH: KRRE të krijojë paketa për subvencionim të konsumatorëve familjarë

“Në këtë vit të vështirë të krizës ekonomike e asaj energjetike që po kalojmë, institucioni më i kritikuar dhe më i atakuar në vend është KRRE (komisioni rregullator i energjisë), një institucion që e kanë karakterizuar shumë skandale dhe afera, një institucion totalisht i papërgjegjshëm dhe i papregatitur profesionalisht.
Gjatë kësaj kohe eksponentët e këtij institucioni kanë dhënë deklarata kontradiktore për opinionin publik, deklarata që nuk përkojnë me realitetin, pasi ata:
-janë fajtorët kryesorë që krijuan dhe aprovuan fashat tarifore për tarifin e lartë për konsumatorët familjar të energjisë elektrike,
– janë fajtorët kryesorë që hoqën tarifën e lirë në intervalin kohor nga ora 14:00 deri në ora 16:00,
– janë fajtorët kryesorë pasi në çdo gjashtë muaj kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjar e ata industrial,
– janë fajtorët kryesorë pasi kanë aprovuar një sistem të ri tarifor, i cili i ka detyruar konsumatorët industrial të energjisë elektrike të paguajnë faturat në vlera më të larta krahasuar jo vetëm me shtetet e tjera në rajon, por edhe ndaj disa shteteve anëtare të BE-së,
– janë fajtorët kryesorë pasi me mosveprim e tyre kanë krijuar një katrahurë të paparë në sektorin energjetik, pasi edhe pse liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka startuar që nga viti 2014 i njëjti akoma nuk është përfunduar, dhe
– janë fajtorët kryesorë që me mosveprimin e tyre, shumë kompani të cilat i shfrytëzuan benefitet e tregut liberal të energjisë elektrike nga viti 2014 deri në 2021, e pas fillimit të krizës energjetike, i lejuan të njëjtët të kthehen të furnizohen me energji elektrike nga furnizuesi i shërbimit universal.
Gjatë ditës së djeshme ky institucion përmes të parit të tyre, në opinionin publik theksoi se si rezultat i “reformave të ndërmarra dhe aplikimit të fashave tarifore janë arritur rezultate pozitive në konceptin e shfrytëzimit racional të konsumit të energjisë elektrike dhe se nga periudha kohore e muajit korrik 2022 deri në muajin tetor 2022 janë konsumuar 16,32 % më pak energji elektrike në tarifën e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë “.
Kjo deklaratë e z. Bislimoski, është e mbushur plot me gënjeshtra e të pavërteta, deklaratë me të cilën po mundohet që konsumatorëve tua “shesë sapunin për djathë”, pasi pikërisht këto reforma e fasha tarifore që i aprovuan e po aplikohen, janë kriteret që konsumatorët familjarë e industrial po paguajnë fatura në vlera shumë të larta.
I përkujtojmë të parit të KRRE, se konsumi racional i energjisë elektrike ka qenë si rezultat i:
– vetëdijësimit të konsumatorëve familjarë se duhet kursyer e përdorur në mënyrë racionale energjia elektrike në këtë kohë të krizës së thellë ekonomike, pasi buxheti i tyre familjar është varfëruar skajshmërisht e se nuk janë në gjendje financiare që t’i paguajnë faturat në vlera të mëdha, dhe
– ndryshimet klimatike të ngrohjes globale.
Këtë po e ilustrojnë me një shembull, temperaturat mesatare në vend gjatë muajit tetor të këtij viti gjatë ditës kanë qenë në nivelin prej 20° celsius dhe gjatë natës në nivel prej 11° celsius, ndërsa në të njëjtën periudhë gjatë një viti më para temperaturat mesatare gjatë ditës kanë qenë në nivelin prej 15° celsius dhe gjatë natës në nivel prej 8° celsius. Gjatë muajit tetor të këtij viti ka patur 2 ditë me reshje, 9 ditë me re dhe 20 ditë me diell, ndërsa gjatë muajit tetor të një viti më parë 8 ditë ka patur reshje, 11 ditë re dhe 12 ditë me diell, pra faktori klimatik ka qenë një faktor shtesë që të konsumohet më pak energji elektrike.
Aleanca për Shqiptarët e fton KRRE që në përputhje me strategjinë për racionalizim dhe kursim të energjisë elektrike, të krijojë paketa për subvencione të konsumatorëve familjarë. Më konkretisht propozojmë, që secili konsumator familjar (pavarsisht fashave tarifore të konsumit) i cili kursen energji elektrike krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të subvencionet me masën e përqindjes së kursyer, pra nëse një konsumator kursen 20 % të konsumit nga ai i një viti më parë, atëherë konkludojmë se me 20% duhet konsumatorit t’i subvencionet fatura aktuale e energjisë elektrike.
Ky subvencion të jetë i limituar nga vlera 300,00 denarë deri në 6.000,00 denarë.
ASH gjatë ditëve në vijim do të dalë me propozime konkrete lidhur me sistemin tarifor dhe fashat tarifore për konsumatorët familjarë.” thuhet në komunikatën e ASH-së