Policia belge ka arrestuar eurodeputeten socialiste greke Eva Kaili, një nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian, në Bruksel të premten në mbrëmje, raportojnë mediat e huaja.

Arrestimi i saj vjen pas një hetimi nga autoritetet belge lidhur me akuzat për korrupsion që implikon Katarin, mikpritës të Kupës së Botës.

Eurodeputetja po merret në pyetje ndërsa bashkëshorti i saj, Francesco Giorgi, u arrestua mëngjesin e së premtes. Katari akuzohet se ka vënë në shënjestër zyrtarë “me një pozicion të rëndësishëm politik dhe/ose strategjik” në Parlament. Kontrollet e policisë janë kryer në 16 shtëpi dhe janë konfiskuar edhe 600 000 euro.

Për muaj, hetuesit belgë “dyshonin se një vend i Gjirit po ndikonte në vendimet financiare dhe politike të Parlamentit Evropian duke paguar shuma të konsiderueshme parash ose duke ofruar dhurata të rëndësishme palëve të treta me një pozicion politik ose një pozicion të rëndësishëm strategjik” brenda këtij organi.

Kaili kishte vizituar Katarin në fillim të nëntorit dhe më pas, duke folur në Parlamentin Europian, e kishte cilësuar vendin konkret si “pionier” në çështja e marrëdhënieve të punës, duke shkaktuar reagime të ndryshme. Të arrestuarit e tjerë janë ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri, Sekretari i Përgjithshëm i sapozgjedhur i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (Ituc) Luca Visentini, si dhe bashkëshorti i zonjës Kaili, Francesco Giorgi.