Ambasadorja amerikane Anxhella Ageler porositi forcimin e luftës kundër korrupsioni

Ambasadorja amerikane Anxhella Ageler porositi forcimin e luftës kundër korrupsionit. Ajo thotë se edhe pse vendi është në rrugë drejt Bashkimit Evropian, korrupsioni edhe më tej është pengesë e madhe në rrugën e progresit, ngadalëson rritjen ekonomike, por edhe nxit të rinjtë e talentuar që të kërkojnë mundësi jashtë vendit.


“Lufta kundër korrupsionit është vendimtare, siç e dini të gjithë. Sepse korrupsioni, në çdo formë është kancer që e kthen vendin pas nga suksesi ekonomik, social, arsimor dhe strukturor. Ne e dimë se ju mund të keni sukses në këtë luftë”, tha Angela Ageler – Ambasadore e SHBA-së.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se pajtohet me ambasadoren Ageler. Pas takimit të djeshëm me ambasadoren, ai sot deklaroi se do të thellohet bashkëpunimi me institucionet amerikane kundër pastrimit të parave, por ka bërë thirrje edhe për qytetarët.

“I inkurajoj të gjithë ata që janë përballur me praktika të caktuara kriminale dhe korruptive që menjëherë t’i denoncojnë në të gjitha institucionet kompetente që janë për këtë dhe për këtë të vendosin organet gjyqësore dhe prokuroria në përputhje me ligjin brenda kompetencave të tyre”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Lidhur me mesazhin e Ageler-it, edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së thotë se rritja ekonomike varet nga korrupsioni. Sipas tij, për shkak të kësaj dukurie tek investitorët mungon besimi, gjë që sjell më pak para në buxhet.

“Krimi dhe korrupsioni janë arsyeja pse ne nuk kemi ekonomi të mirë. Ndërsa nuk kemi ekonomi të mirë sepse investitorët nuk kanë besim, sepse ka shumë kriminalitet dhe korrupsion dhe investitorët vendas dhe të huaj nuk kanë besim t’i investojnë paratë e tyre”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, në shënimin e 30 vjetorit të partneritetit mes USAID-it dhe vendit, ambasadorja Ageler ka përsëritur se ka sfida të shumta, por se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për reformat./Alsat.mk