Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka pritur sot një delegacion të kryesuar nga Kristian Sagarc, eurodeputet nga Austria dhe raportues në hije për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian.

Gjatë takimit, delegacionit në të cilin morën pjesë disa biznesmenë austriakë iu prezantua potenciali investues i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në mundësitë në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe prodhimit.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ekonomike me Austrinë dhe ripohoi gatishmërinë e Qeverisë maqedonase për intensifikimin e bashkëpunimit në sferën e “aftësimit” dhe forcimit të zinxhirëve të furnizimit.

Në të njëjtën kohë, Bytyqi falënderoi Republikën e Austrisë për kontributin e saj në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shprehu besimin se autoritetet maqedonase janë fuqimisht të përkushtuara për realizimin e proceseve reformuese që janë pjesë e rrugës së integrimit evropian.

Eurodeputeti Sagarc theksoi gatishmërinë për mbështetje politike dhe ekonomike në integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se Qeveria austriake do të vazhdojë të jetë promotore dhe partnere e fortë e Maqedonisë së Veriut dhe e pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor.