Urim nga Xhaferi për Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe – 22 Nëntori

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe – 22 Nëntori dërgoi urim deri te pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Më lejoni që në emër të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim, me gëzim të veçantë t’ju dërgoj urime të përzemërta me rastin e një prej festave më të rëndësishme shqiptare, 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit, me urime të sinqerta për sukses dhe përparim të pafund për shqiptarët kudo që janë”, thuhet në urim.

Kryetari i Kuvendit rikujton rëndësinë e festës.

“Kongresi i Manastirit, pikërisht 114 vjet më parë, ishte tubimi që solli produktin më të çmuar për një popull, alfabetin e unifikuar me të cilin shkruajmë, lexojmë dhe përhapim gjuhën, kulturën, zakonet, veçoritë dhe traditat folklorike dhe më e rëndësishmja, alfabeti me të cilin lindi dhe nisi rrugën e saj lufta kombëtare për pavarësi kulturore në nivel botëror dhe përkrahje e fuqishme për identitetin kombëtar dhe pavarësinë politike të popullit shqiptar”, thuhet në urim.

Uroj që, siç thuhet në urim, ta kaloni festën në një atmosferë festive, me mendime dhe vepra të bukura, siç i ka hije kësaj dite.