Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot do të udhëtojë për në Tiranë ku nesër (25 nëntor) do i ndahet Titulli “Doctor honoris causa” nga Kolegji Universitar “Qiriazi” në Tiranë.
„Doctor honoris causa“ është vlerësimi më i lartë që Kolegji Universitar Qiriazi i jep figurave te shquara për kontribut në fushën kombëtare, ndërkombëtare, akademike, shkencore ose kulturore, si dhe lidhjes së tij të veçantë me këtë Universitet. Senati Akademik i Kolegjit Universitar Qiriazi vendosi t’ia ndajë titullin Kryetarit Xhaferi për “Kontributin e Tij të veçantë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për mençurinë dhe vlerat e larta intelektuale dhe shtetformuese në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar. Për lidhjet e Tij shpirtërore me ikonat e arsimit tonë kombëtar Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi dhe Kristo Dako, që janë trashëgimia historike dhe vazhdimësia e Kolegjit Universitar “Qiriazi”.
Ceremonia e dhënies së Gradës do bëhet më 25 nëntor 2022, në ora 10:00h në Godinën e kolegjit Universitar “Qiriazi” në Tiranë.