Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë (SPGPM), me rastin e Ditës ndërkombëtare për ndërprerjen e mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve, kërkojnë nga partitë politike menjëherë t’i miratojnë amandamentet e Kodit penal, me çka do të mundësohet mbrojtje më e madhe e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë. Në të kundërtën, thonë ata, do ta ndryshojnë formatin e sjelljes dhe ai pas Vitit të Ri do të kalojë në bojkot.

“Pothuaj një vit e gjysëm presim që deputetët në Kuvend të mbledhen dhe t’i votojnë ndryshimet në Kodin penal, në vend se të merren me lojërat e pafundme politike. Kërkojmë që ato menjëherë të vendosen në rend të ditës dhe të votohen, në të kundërtën do të kuptojmë se liria e gazetarëve, xhiruesve dhe punonjësve mediatikë nuk është prioritet i këtij Kuvendi”, tha kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski në konferencën e sotme për shtyp para Kuvendit.

Ai shtoi se miratimi i këtyre ndryshimeve është interes publik, pasi siguria e gazetarëve, siç tha, është ende e cenueshme.

“Në vitin 2020 ka pasur 14 sulme ndaj gazetarëve, prej të cilave tetë ishin ndaj gazetareve, ndërsa vetëm dy janë zgjidhur me aktgjykim gjyqësor. Në vitin 2021 prej pesë sulmeve, tre ishin ndaj gazetareve, në vitin 2022 deri tani kemi pasur gjashtë sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatikë. Ky është vetëm numër që është paraqitur, një pjesë e kolegëve nuk i kanë denoncuar sulmet, që sjell rrezik për cenzurë dhe autocenzurë”, tha Çadikovski, i cili përkujtoi se për dallim nga politikanët, të cilët kanë marrë drejtësi për rastin e 27 prillit, gazetarëve ende u bëhet padrejtësi.

Kryetari i SPGPM-së, Pavle Belovski tha se sot po bëhen saktë pesë vite nga fillimi i iniciativës për ndryshime të Kodit penal, me të cilin gazetarët dhe punonjësit mediatikë do të merrnin mbrojtje më të madhe, respektivisht sulmet mbi ta do të trajtoheshin me detyrë zyrtare nga ana e Prokurorisë dhe institucioneve shtetërore.

Me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare për ndërprerjen e mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve, Belovski informoi se SPGPM dhe SHGM i bashkangjiten iniciativës globale të Federatës ndërkombëtare të gazetarëve dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta përkrah miratimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara për siguri dhe pavarësi të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë mediatikë.