Presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmaer dhe nikoqiri i tij, shefi i shtetit Stevo Pendarovski në mëngjes vizituan një dyqan për filigranë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku nga pronari Selajdin Hasani u njoftuan për përpunimin e stolive dhe eksponateve të rubinit nga Maqedonia e Veriut.

Dy presidentët pastaj në kafenenë me stil oriental kanë pirë çaj dhe janë shërbyer me bakllavë dhe trileçe.

Prej aty u nisën në Suli An, në Fakultetin për art figurativ pranë UCM, ku janë pritur nga dekanja, prof.dr. Sllavica Janashlieva.

Dy presidentët vizitën në Çarshinë e Vjetër të Shkupit do ta përfundojnë në Çifte amam, ku do të takohen me ekipin e filmit dokumentar “Toka e mjaltit” dhe protaginsten kryesore të tij Atixhe Muratova. Në fjalimin e tij dje në Parlament, Shtajnmaer mes tjerash u përqëndrua edhe në këtë film të suksesshëm dokumentar nga Maqedonia e Veriut.

Sipas agjendës, presidenti gjerman Shtajnmaer sot do të takohet edhe me të rinjë, vizitorë të shkollës politike të Qendrës presidenciale për arsim politik.

Pasdite Shtajnmaer do të vizitojë Parkun me erë në Bogdanci, i pari i llojit të tillë në Ballkanin Perëndimor, e pastaj edhe fabrikën “Dreksmajer” në Kavadar.

Shefi i shtetit gjerman dje pati takime me nikoqirin, presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, si dhe iu drejtua deputetëve në Kuvend, ku tha se Maqedonia e Veriut është para një vendimi të rëndësishëm nëse përmes ndryshimeve të ardhshme të Kushtetutës, do t’i hapë rrugën hapjes së kapitujve në fusha të veçanta.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Shtajnmaerit në Maqeodninë e Veriut. Nga Shkupi, presidenti gjerman shkon për vizitë në Shqipëri.