Një 37 vjeçar, i cili quhet Sylvain Helaine, ka shpenzuar 57.000 Paund përgjatë viteve për të realizuar tatuazhe dhe modifikuar trupin e tij.

Sylvain është nga Parisi, gjatë ditës ai u jep mësim fëmijëve të ciklit fillor, si edhe punon si model, performues dhe komedian.

Ai është thuajse 100% i mbuluar me bojë, përfshirë gjuhën, pëllëmbët e duarve, mishrat e dhëmbëve e madje edhe kokërdhokët e syve.
I riu ka treguar se familja e ka mbështetur gjithmonë, teksa ka shtuar se tashmë pamja e tij është diçka që i ka ardhur në ndihmë për të kuptuar nëse njerëzit e duan apo jo.

“Babai dhe motra ime më kanë mbështetur gjithnjë. Mamaja ime e kishte të vështirë në fillim, por ajo e kupton që është një punë dhe e pranon. Pamja ime më ndihmon në rutinën e ditës sepse është si një filtër natyral, njerëzit më duan ose më urrejnë. Nuk ka të mesme. Është e dobishme”, ka thënë ai.

Megjithatë përjetimi i tij nuk funksionon njësoj me femrat. Kur ato shohin tatuazhet e tij, e përfytyrojnë menjëherë si një njeri “të dhunshëm, të rrezikshëm dhe kriminel”, thotë Sylvain, i cili thekson se nuk ka asnjë pendesë për gjilpërat që kanë depërtuar në trupin e tij.