Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një burrë 70-vjeçar nën dyshimin se vrau me sëpatë gruan e tij, 63-vjeçare, në shtëpinë e tyre në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesit e së premtes, ku rreth orës 04:40 i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë.

“Në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Aktualisht nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti.

Ngjarja ka ndodhur në ditën kur pritet të nisë fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje, me 2.101 viktima; në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste me 2.486 viktima. Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.