Me fjalimin e at Gjergj Fishtës, Grubi ju drejtohet të pranishmëve në Akademinë solemne

Sot, me rastin e 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit, nën patronatin e Zëvendëskryetarit të parë të Qeverisë, z. Artan Grubi është organizuar Akademi solemne në të cilën është promovuar videospoti i këngës “Kongresi i Manastirit”, interpretuar nga artisti Ilir Shaqiri.


Në manifestimin qendror për Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, krahas z. Grubi, fjalim rasti para të pranishmëve ka mbajtur edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti si dhe kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi.

Mësuesi Dhaskal Todri do të thotë: Janë flori e shkuar floririt këto shkronja, o bir! Me këto do të shkruhet gjuha jonë. Magjinë e gjuhës, vogëlsia ime do të përpiqet t’ua risjell me fjalët e të madhit Gjergj Fishta, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, me këtë citat e filloi fjalimin e tij, Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë, z. Artan Grubi.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinjë, Kryetar Kuvendi, Kryeministër, ministra, deputetë, kryetarë komunash, ambasadorë, i dashur Ilir, i pari ndër ne z. Ali Ahmeti, vëllezër e motra,

Mësuesi Dhaskal Todri do të thotë: Janë flori e shkuar floririt këto shkronja, o bir! Me këto do të shkruhet gjuha jonë.

Magjinë e gjuhës, vogëlsia ime do të përpiqet t’ua risjell me fjalët e të madhit Gjergj Fishta, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit,

“E zeza mori Shqipni, se shum ké pa, e randë ké psue rrymës s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, nepër të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se tepër pa mëshirë e turp shemtuem të ká nieri.  Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa bukë e shujtë dhe e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emën tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit.

Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazën shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnisë. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret dhe e len shakull mbi dhè.

Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të mirën lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé.

Pse? I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës diku i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!

Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë venin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e deri në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne.

Hajde, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa për punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, nepër kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u përshku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me ndikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnînë, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”

Fjalimin e përshtatur të at Gjergj Fishtës nga viti 1924 mbi trupin e njomë të atdhetarit, po e përfundoj me vargjet e thëna nga ai vet:

O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare,

Lamtumirë po të thotë Avni Rrustemi e amanet âsht tue të lanë:

Armët e mbushme mos me i dhanë

Shoq me shoq kurr mos me u xanë

Mos me u xanë as mos me u ngaë

Kurr ujët turbull mos me i raë

Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë

Zemrës së frytë me i lanun dalë.

Të nderuar qytetarë, të dashur bashkëkombas, me përkulje para të gjithë burave e grave të kombit ndër dekada e shekuj, uroj të gjithë shqiptarët për 22 nëntorin, ditën e Kongresit të Manastirit dhe të alfabetit të gjuhës shqipe.