Ministria e Financave njoftoi të premten se ka mbyllur Shtëpinë për të Moshuar “Orenda” në Pejë, ku ditë më parë një e moshuar ishte su*lmuar fizikisht e keqtrajtuar nga infermieret. Sipas njoftimit të ministrisë, këtij subjekti i është revokuar licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

“Pas publikimit të pamjeve të su*lmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”, thuhet në njoftimin për media.

“Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale”.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.