Anija kozmike “Shenzhou-15” që transportonte tre astronautë në Stacionin Hapësinor Kinez (CSS), i cili në gjuhën kineze quhet “Pallati Qiellor”, u nis sot me sukses.

Shenzhou-15, ose “anija hyjnore”, u lëshua në një raketë Long March-2F nga Qendra Hapësinore Jiuquan në shkretëtirën Gobi të Kinës veriperëndimore.

Misioni Shenzhou-15 do të shënojë fillimin e funksionimit operacional të CSS në formë T.

Tre astronautët do të zëvendësojnë anëtarët e misionit të mëparshëm të drejtuar (Shenzhou-14) që arriti në “Pallatin Qiellor” qershorin e kaluar.

Anëtarët e misionit Shenzhou-14 do të fillojnë udhëtimin e tyre të kthimit në Tokë brenda një jave, gjatë së cilit pritet të konfirmohet aftësia e CSS për të akomoduar një ekuipazh prej 6 anëtarësh, duke shënuar një tjetër moment historik në programin hapësinor të Kinës.

Operacioni i Stacionit Hapësinor Kinez pritet të zgjasë të paktën 10 vjet, periudhë gjatë së cilës astronautët pritet të kryejnë më shumë se 1000 eksperimente shkencore: p.sh. ata do të analizojnë sjelljen e lëngjeve dhe përshtatjen e bimëve ndaj kushteve të mikrogravitetit.

“Rroftë atdheu”, shkruan shumë përdorues kinezë në rrjetet sociale, duke komentuar misionin historik Shenzhou-15, me të cilin Kina aspiron të kapërcejë më tej hendekun që e ndan nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Rusia për sa i përket programeve hapësinore.