Këngëtari i muzikës country, Jake Flint, vdiq vetëm disa orë pas martesës së tij të shtunën. Ai ishte 37 vjeç. Lajmin e trishtë e bëri të ditur menaxherja e tij por nuk e zbuloi shkakun e vdekjes. “Me zemër të thyer dhe në pikëllim të thellë duhet të njoftoj se Jake Flint ka ndërruar jetë tragjikisht”, shkroi ajo.

Mediat e huaja raportojnë se ai ndërroi jetë të shtunën mbrëma në gjumë. E veja e Flint, Brenda Flint, postoi një video të realizuar me sa duket në dasmën e tyre të shtunën, ku këngëtari shihet duke kërcyer dhe përqafuar nusen e tij të re. “Nuk e kuptoj”, ka shkruar ajo krahas videos.

Në një postim pasues tronditës të martën, Brenda ndau dhimbjen që po ndjente. “Duhet të kalojmë nëpër fotot e dasmës, por në vend të kësaj më duhet të zgjedh rroba për të varrosur burrin tim. Njerëzit nuk janë të destinuar të ndiejnë kaq shumë dhimbje,” shkroi ajo mes të tjerash në postimin prekës.