Gruaja më e gjatë në botë, Rumeysa Gelgi, ka udhëtuar për herë të parë me avion.

E gjatë 2.15 metra, avioni u detyrua të shndërrojë në shtrat 6 ulëse, në mënyrë që e reja turke të udhëtonte pa probleme nga Stambolli në San Francisko, ku do të kalojë gjysmën e vitit të ardhshëm.

25-vjeçarja vuan nga sindroma Weaver, një çrregullim gjenetik që shkakton rritje të tepërt të kockave. Rumeysa zakonisht lëviz në karrige me rrota, por ndonjëherë ecën edhe vetë, kur bëhet fjalë për distanca të shkurtra.

Vajza turke udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për të bashkëpunuar me Rekordet Botërore Guinness për një event dhe për të zhvilluar karrierën e saj profesionale.

“Ky do të jetë fluturimi im i parë, si dhe udhëtimi im i parë jashtë vendit. Por, unë mendoj se kjo përvojë do të jetë e para për shumë njerëz, jo vetëm për mua. Sepse siç e dini, opsioni i udhëtimit si pasagjer me barelë zakonisht rezervohet për pacientët që transferohen nga një njësi e kujdesit intensiv në tjetrin. Është një alternativë për pacientët që referohen nga një spital në tjetrin dhe kanë nevojë për një ambulancë. Megjithatë, për shkak se nuk mund të rrija ulur për periudha të gjata kohore për shkak të skoliozës, më duhej të fluturoja me barelë”, tha 25-vjeçarja.