Dhuna dhe huliganizmi, ngacmimet mes nxënësve, sulmet ndaj mësimdhënësve, përdorimi i armëve dhe dëmet që shkaktohen në mjediset edukativo-arsimore, tashmë janë bërë problem shqetësues në shkollat tona. Këto situata janë brengosëse për nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe për shoqërinë në tërësi. Dhuna manifestohet me një llojllojshmëri të gjerë të sjelljeve agresive që ndodhin në mes të nxënësve, prej zgjidhjes së konfliktit nëpërmjet kërcënimit, shtyrjeve e goditjeve me grushte e deri te përdorimi i armëve ndaj njëri tjetrit me ç ‘rast njëra palë është ushtruesi i dhunës, kurse pala tjetër është viktima. Kryerësit e këtyre veprave janë kryesisht të rinj.

Fakti që ky fenomen është i pranishëm jo vetëm në shkollat e mesme por edhe në shkollat fillore është edhe më shqetësues. Brengosja për shkak të rritjes së dhunës në jetën e përditshme, sidomos ndërmjet të rinjve, provohet të sqarohet përmes faktorëve të ndryshëm.

Ka shumë faktorë të mundshëm të sjelljes agresive dhe dhunës të fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët lidhen me individualitetin e tyre, familjen e tyre, ndikimet e shkollës dhe ndikimet tjera shoqërore. Problemet e shumta të fëmijëve dhe të rinjve shpesh janë rezultat i injorimit apo të ndihmës dhe mbrojtjes joadekuate në familje, në shkollë apo mjedis të gjerë. Fenomenin e këtillë e sqarojnë edhe sociologët të cilët në tërësi deklarojnë se kjo vjen si pasoje e mos edukimit adekuat që në rrethin e ngushtë familjar.

Faton Murseli doktor I sociologjisë në një deklaratë ekskluzivisht Për TS nënvizon se problematika e kësaj sfide duhet të tejkalohet nëse secili do të mbaj vendin e vet si profesor, mësimdhënës, arsimtar, prind, nxënës, pedagog e kështu me radhë.

Të njëjtën gjë e thotë edhe imami I Xhamisë Gam-Gam në Tetovë, Teologu Nuhi Ganija, ai nënvizon se problem kryesor vjen nga trungu familjar I cili sipas tij investon në luks por jo në edukimin e fëmijëve dhe gjeneratave të reja. Ai apelon deri tek prindërit ti edukojnë fëmijët e tyre e më pas ti dërgojnë në shkollë për tu përgatitur profesionalisht.

Krijimi i kushteve për kultivim të kulturës së debatit ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve; Trajnimi i vazhdueshëm i stafit të shkollës, nxënësve dhe prindërve, në lidhje me dhunën, format e dhunës, mënyrën e reagimit dhe masat për parandalimin e saj; Zhvillimi i një programi unik të masave për parandalimin dhe zhdukjen e dhunës në mesin e nxënësve i cili do të përfshijë punën me ushtruesit e dhunës dhe viktimat do të ishte edhe fundi i tejkalimit të kësaj problematike nëpër shkollat e vendit.