“Do iki nga ky vend”…Tronditja e prindit që krokodili i hëngri fëmijën para syve

Një djalë 8-vjeçar në Kosta Rika vdiq tragjikisht kur u sulmua nga një krokodil i madh teksa luante në brigjet e një lumi, me familjen e tij duke e parë të tmerruar dhe të paaftë për të bërë asgjë për ta parandaluar.

Të shtunën e kaluar, pothuajse një muaj nga vdekja e fëmijës, një gjahtar qëlloi dhe vrau krokodilin fëmijëngrënës në zonë. Kur vendasit hapën stomakun e reptilit, gjetën tufa flokësh dhe copa kockash që besohej se i përkisnin djalit. Tragjedia ndodhi gjatë një udhëtimi familjar për peshkim në zonë më 30 tetor, ku të pranishëm ishin prindërit e vogëlushit, katër vëllezërit e motrat dhe të afërmit e tjerë.

Sipas New York Post, vogëlushit Julio Otero Fernandez iu këput koka nga zvarraniku i madh, përpara se ta tërhiqte zvarrë në thellësitë e lumit Matina pranë qytetit Limón. Rreth orës 14:00 djali i vogël po qëndronte në ujë deri në gjunjë, kur krokodili iu shfaq përpara dhe u hodh mbi të. “Ai e kapi në dhëmbë dhe ia preu kokën. Më pas e tërhoqi zvarrë nën ujë”, tha një dëshmitar okular. Të dy prindërit e fëmijës ishin përballë kur ai humbi në një mënyrë kaq tragjike. Babai tha se një orë më vonë krokodili u rishfaq me trupin e fëmijës ende në gojë.

Madje ai ka thënë se policët që janë thirrur në vendngjarje kanë refuzuar të qëllojnë kafshën, duke thënë se nuk janë të autorizuar të hapin zjarr. “U ndjeva i braktisur nga autoritetet. Ndjeva se besojnë se kafsha ka më shumë vlerë se njeriu”, tha më pas babai tragjik.

Siç theksohet nga gazeta amerikane, familja ishte zhvendosur në Kosta Rika nga Nikaragua katër vjet më parë për arsye biznesi. Prindërit tani planifikojnë të marrin pjesën tjetër të fëmijëve të tyre dhe të kthehen. “Unë nuk do të qëndroj në këtë vend ku këto kafshë mbrohen dhe lejohen të sulmojnë më shumë njerëz,” tha nëna e Julios.

Identiteti i gjahtarit që në fund vrau kafshën dhe më pas iku (pasi akti i tij ndiqet penalisht në Kosta Rika) mbetet i panjohur.