Zbulohet se ushtarët rusë kishin jetuar në një stallë të derrave (VIDEO)

Shërbimi ukrainas i sigurisë thotë se disa ushtarë rusë në një fshat të pushtuar në rajonin jugor të Khersonit u zhvendosën në një stallë të derrave për shkak të mungesës së akomodimit alternativ, raporton CNN.


Rusët kishin pushtuar fshatin Lyubymivka, tha shërbimi i sigurisë, ku rreth 70 për qind e ndërtesave ishin shkatërruar gjatë granatimeve.

Derisa oficerët rusë kishin marrë shtëpi private, disa nga ushtarët kishin jetuar në një stallë të derrave.

Lyubymivka u çlirua në fillim të kësaj jave.

Shërbimi i sigurisë tha se në fshat kishin mbetur rreth 200 civilë kur ra këtë javë. Gjatë pushtimit, vendasve u ishte ndaluar të dilnin jashtë pas orës 18:00 koha lokale. Shërbimi tha se ushtarët rusë kishin marrë ushqim dhe alkool nga banorët vendas dhe kishin fshehur armatimin e tyre në zonat e banuara në mënyrë që të mos zbuloheshin nga dronët ukrainas.

Shërbimi i sigurisë tha gjithashtu se kishte gjetur makina larëse të vjedhura në fermën e derrave.

Një video që besohet të jetë xhiruar nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës tregon stallën e derrave ku kishin jetuar ushtarët rusë.