Dy zona varrimi janë gjetur në qytetin e Lyman, që u çlirua së fundmi nga forcat ukrainase pasi u pushtua nga ushtria ruse dhe aleatët e saj të milicisë për disa muaj, sipas autoriteteve në rajonin e Donetsk.

Një nga zonat kishte rreth 200 varre të vetme ku ishin varrosur civilët, tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk.

Në zonën tjetër, është një varr masiv, që “mund të përmbajë ushtarakë dhe civilë”, tha Kyrylenko. “Ende nuk dihet numri i saktë”.

Oficerët e zbatimit të ligjit po hetojnë këto vende dhe së shpejti do të fillojnë procesin e zhvarrosjes, shtoi ai.

Në Sviatohirsk, i cili ishte nën pushtimin rus për rreth tre muaj, Kyrylenko pretendon se 21 trupa u rivarrosën. Këta ishin civilë që vdiqën gjatë okupimit, tha ai.

Të gjithë trupat që ishin rivarrosur u identifikuan dhe u varrosën siç duhet, shtoi ai.