Forcat ukrainase çliruan një fshat të rëndësishëm strategjik në rajonin e Kherson, duke sprapsur trupat ruse edhe në jug, pas disfatave në verilindje. Ministria e mbrojtjes në Kiev postoi një video që tregon brigadën e 35 të marinës, teksa vendos flamurin ukrainas në Davydiv Brid, mes raportimeve se edhe fshatra të tjera të afërta janë çliruar.

Fitoret e fundit të ushtrisë së Kievit erdhën kur presidenti Vladimir Putin firmosi dekretin për aneksimin e 4 rajoneve ukrainase, ndërsa lufta vijon e ethshme në të gjitha këto territore.

“Avancim i ushtrisë sonë vazhdon. Qendra të tjera të populluara janë çliruar në disa rajone. Luftimet e ashpra vijojnë në pjesë të ndryshme të vijës së luftës”, u shpreh Zelensky.
Rusia vazhdon të ketë në duar kryeqytetin rajonal, të Kherson, në jug të vendit. Por kontrolli në të gjithë zonën në veri të lumit Dnipër, po tkurret gjithmonë e më shumë. Në 48 orët efundit, forcat ukrainase kanë avancuar drejt jugut, përgjatë anës perëndimore të lumit, dhe njësitë pushtuese janë detyruar të tërhiqen nga një sërë kolonish edhe në veri të Kherson.

Kreu i administratës ushtarake rajonale, Sergi Gaidai tha të mërkurën se çlirimi i rajonit të Luhanks kishte nisur. Po zëdhënësi i Kremlimit Dmitri Peskov i tha BBC se Rusia do të rimarrë të gjitha zonat nga të cilat është tërhequr aktualisht. “ato territore do të jenë të Rusisë përgjithmonë e nuk do të rikthehen”, deklaroi Peskov.

Sakaq, sulme me dronë kamikazë të Iranit u raportuan gjatë natës në Bila Tserkva, në rajonin e Kievit. Autoritetet flasin për disa zjarre, dëme në infrastrukturë dhe një të plagosur.