Rusia rrëzon rezolutën e hartuar nga SHBA-të dhe Shqipëria për aneksimin e 4 rajoneve ukrainase

Rusia i ka vendosur veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënon referendumet e “rreme” të zhvilluara nga Moska për të aneksuar territoret e pushtuara të Ukrainës.


Teksti, i hartuar nga SHBA-të dhe Shqipëria para firmosjes së aneksimit të katër rajoneve të Ukrainës në Rusi, dënon “referendumet e paligjshme” të cilat “nuk mund të përdoren si bazë për ndryshimin e statusit të këtyre rajoneve” dhe as për “aneksimin e rremë” të tyre në Rusi.

Lexo edhe: Rusia shpall zyrtarisht aneksimin e 4 rajoneve të Ukrainës

Projekt-rezoluta i bën thirrje Moskës që të ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake në Ukrainë dhe të tërheqë plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat ushtarake nga Ukraina.

“Nëse Rusia pengon Këshillin e Sigurimit të marrë përgjegjësitë e tij, ne do t’i kërkojmë Asamblesë së Përgjithshme, ku secili vend ka një votë, të thotë qartë se është e papranueshme të rishikohen kufijtë me forcë”, tha më herët ministri i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara të SHBA-ve Anthony Blinken.

“Rezoluta dënon referendumet e paligjshme. Ajo u bën thirrje të gjitha shteteve të mos njohin ndryshim të territorit të Ukrainës dhe kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina”, shprehet ambasadorja e SHBA, Linda Thomas Greenfield.

10 anëtarët e mbetur të Këshillit të Sigurimit votuan pro rezolutës së hartuar nga SHBA dhe Shqipëria, ndërsa Kina, India, Brazili dhe Gaboni abstenuan.