Presidentët e vendeve-anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore, në mesin e së cilëve edhe presidenti, Stevo Pendarovski, dhanë deklaratë të përbashkët të shkruar lidhur me vendimin e Rusisë për aneksimin e paligjshëm të territoreve ukrainase në të cilën sërish shprehin mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ne, presidentët nga Evropa Qendrore dhe Lindore, nga vendet, liderët e të cilëve vizituan Kievin gjatë luftës dhe personalisht dëshmuan pasojat e agresionit rus, nuk mund të heshtim përpara shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga Federata Ruse dhe në këtë drejtim bëjmë deklaratën e mëposhtme: E shprehim edhe një herë mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk njohim dhe nuk do të njohim kurrë përpjekjet ruse për të aneksuar ndonjë territor ukrainas”, thuhet në deklaratë.

Fuqishëm qëndrojmë, thuhet më tej, në vendimin e Samitit të NATO-s në vitin 2008 në Bukuresht për anëtarësimin e Ukrainës në të ardhmen. “E mbështesim plotësisht Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus, kërkojmë që Rusia të tërhiqet menjëherë nga të gjitha territoret e pushtuara dhe inkurajojmë të gjithë aleatët që të rrisin dukshëm ndihmën ushtarake për Ukrainën. Kushdo që kryen një akt agresioni duhet të mbajë përgjegjësi dhe të sillet para drejtësisë”, qëndron në deklaratën e përbashkët.
Në deklaratë janë nënshkruar Millosh Zeman, presidenti i Republikës Çeke, Alar Karis, president i Republikës së Estonisë, presidenti i Republikës së Letonisë, Egils Levic, Gitanas Nauseda president i Republikës së Lituanisë, Stevo Pendarovski president i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Millo Gjukanoviq president i Republikës së Malit të Zi, Andzhej Duda president i Republikës së Polonisë, Klaus Johanis, president i Rumanisë dhe Zuzana Çaputova, presidente e Republikës Sllovake.