Putini dekreton aneksimin e 4 rajoneve: Tani do të punojmë për të stabilizuar situatën në Ukrainë!

Presidenti Vladimir Putin tha sot se Rusia do të stabilizojë situatën në Ukrainë, pak orë pasi shpalli dekretet për aneksimin e katër rajoneve ukrainase që i ka pretenduar si territor i Rusisë.

Katër rajonet, Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia përbëjnë rreth 1/6 e Ukrainës dhe sipas Putinit në to jetojnë mbi 3 milionë rusë.

“Situata do të stabilizohet, ne do të jemi në gjendje t’i zhvillojmë me qetësi këto territore”, tha udhëheqësi rus.

Putin nënshkroi dekretet kushtetuese të mërkurën, për të thithur zyrtarisht katër rajonet ukrainase të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia në Rusi.

Sipas dokumenteve të lëshuara nga Kremlini, të katër rajonet tani janë një “entitet i ri përbërës i Federatës Ruse.

Gjatë një video-konference, Putin tha se Rusia mbetet e vendosur për të përmbushur qëllimet e saj.

“Ne kemi tre milionë qytetarë rusë me origjinë ukrainase. Nuk kemi bërë dhe nuk do të bëjmë asnjë dallim midis rusëve dhe ukrainasve”, tha Putin. “Por duke shkuar në rrugën tonë – dhe unë besoj se kjo rrugë është e duhura – pa asnjë dyshim, do të ndalim gjithçka që na pengon të ecim përpara”.

Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet. Në dy prej tyre, ajo ende nuk ka përcaktuar kufijtë e territorit që pretendon. Forcat e saj kanë pësuar humbje të konsiderueshme atje që nga e premtja, kur Putini nënshkroi traktate për t’i përfshirë zonat ukrainase në Rusi pas atyre që Moska i quajti referendume.

Ukraina dhe Perëndimi i denoncuan referendumet si të paligjshme dhe komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar t’i njohë ato.