Liderja e ekstremit të djathtë në Itali Giorgia Meloni e cila triumfoi një zgjedhjet e përgjithshme pak ditë më parë shprehu hapur mbështetjen e saj për Ukrainën.

I menjëhershëm ishte reagimi i Moskës, korporata energjetike ruse Gazprom pezulloi dërgesat e gazit për në Itali.

Gjigandi italian i energjisë ‘Eni’ tha se ata ishin informuar për një problem transporti në Austri, çka nënkuptonte se furnizuesi rus nuk do të ishte në gjendje të dërgonte gaz, të paktën deri të hënën.

Pjesa më e madhe e gazit rus të dërguar në Itali kalon në Ukrainë përmes tubacionit të gazit Trans Austria (TAG), në Tarvisio në Italinë veriore në kufi me Austrinë.

Para luftës në Ukrainë, Italia importonte 95 për qind të gazit që konsumonte, 45 për qind e të cilit vinte nga Rusia.

Kryeministri në largim Mario Draghi ka nënshkruar marrëveshje të reja me prodhues të tjerë të gazit për të reduktuar varësinë e Italisë nga Rusia.

Giorgia Meloni, e cila pritet të bëhet kryeministre e Italisë, pak ditë më parë është shprehur se Putin “kërcënon sigurinë e të gjithë kontinentit evropian” dhe aneksimi i katër rajoneve të Ukrainës “nuk ka asnjë vlerë ligjore dhe politike”.

Putin është në mosmarrëveshje të ashpër me vendet evropiane për furnizimin me gaz natyror dhe është akuzuar se ka përdorur rrjedhën e gazit si një armë ekonomike.

Tensionet shtohen pasi gjatë këtyre ditëve ka pasur rrjedhje në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë, dhe tonelata metan janë derdhur në Detin Baltik.