Papa i lutet Putinit të ndalë vdekjet, Zelenskit i kërkon të negociojë për paqe

Papa Françesku i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalë “këtë spirale të dhunës dhe vdekjes” duke iu referuar luftës në Ukrainë.


Deklaratat e Papës të bëra më 2 tetor gjatë lutjeve publike në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, janë disa prej deklaratave më të forta që ai ka bërë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

“Apeli im i drejtohet fillimisht presidentit të Federatës Ruse, duke iu lutur atij që të ndalë – për hir të popullit të tij – këtë spirale të dhunës dhe vdekjes”, tha Françesku.

“Në anën tjetër, i pikëlluar nga vuajtjet e mëdha të popullit ukrainas pas agresionit, i drejtohem me një apel presidentit të Ukrainës që të jetë i hapur për propozime serioze të paqes”, shtoi Papa.