Nxënësit kthehen në shkolla, pas pesë jave grevë

09:36 – Mësimi në shkollat “Selman Riza” dhe “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë ka filluar pa ndonjë telashe


Mësimi në shkollën “Selam Riza” ka filluar mëngjesin e sotëm pa ndonjë telashe.

Kështu për Klan Kosovën ka bërë të ditur drejtori i kësaj shkolle Esat Simnica, i cili u shpreh se disa nxënës u ardhur nga qytetet e tjera, por kjo sipas tij nuk paraqet ndonjë problem.

“Çdo gjë ka shkuar sipas planifikimit, nuk ka pasur ndonjë telashe, mësimi ka filluar në orën 07:45 minuta dhe të gjithë nxënësit janë prezentë nëpër klasët e tyre. Kemi pas 3-4 nxënës që kanë ardhur nga qytetet e tjera si transfer, mirëpo telashe të mëdha siç kanë shkollat e tjera të mëdha nuk kemi pasur”, tha Simnica.

Ai gjithashtu foli edhe për mungesën e disa teksteve shkollore, përcjell Klankosova.tv.

“Klasa e pestë, Gjuha Shqipe mungon, ndërsa të tjerat kanë ardhur me kohë dhe janë shpërndarë tek nxënësit”, u shpreh tutje ai.

Ndryshe, ekipi i Klan Kosovës ka vizituar edhe shkollën “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë ku edhe atje ka filluar mësimi me kohë.

Kjo shkollë ka një numër të madh të nxënësve, madje për këtë arsye janë krijuar edhe disa paralele.

09:10 – Sa nxënës i kthehen bankave shkollore?

Sot ka filluar mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në vendin tonë.

Viti i ri akademik nisi me vonesë, për shkak të grevës e cila zgjati pesë javë, por më pas u mor vendimi për pezullimin e saj deri në janar të vitit 2023.

Pas këtij vendimi, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj u shpreh se po e respektojnë vendimin e shumicës së mësimdhënësve që votuan pro pezullimit të grevës dhe nisjes së mësimit më 3 tetor.

Këtë të hënë, mësimi filloi për rreth 300 mijë nxënës të nivelit parauniversitar në Kosovë.

Sipas Statistikave të Arsimit të vitit 2021/2022, gjithsej në sektorin publik janë 279 mijë e 115 nxënës, përcjell Klankosova.tv.

“Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 224,429, prej tyre në sektorin publik ishin 217,977ose 97.1%, ndërsa në sektorin privat 6,452 ose 2.9%.Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 70,850 prej tyre në sektorin publik 67,138 ose 94.8%, ndërsa në sektorin privat ishin 3,712 nxënës ose 5.3%”, thuhet në këto statistika.

Ndryshe, dje MAShTI njoftoi edhe se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit.

Teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

07:26 – Nxënësit sot kthehen në shkolla, pas pesë jave grevë

Sot ka filluar mësimi në të gjitha nivelet e arsimit para-universitar në Kosovë, pas suspendimit të grevës pesëjavore nga SBASHK-u.

MASHT-i në njoftimin për fillimin e vitit të ri shkollor ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit.

Derisa SBASHK-u ka paralajmëruar se nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura, ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ministria që ajo drejton do të formojë sot një grup punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen riplanifikimet në shkolla.

Greva në arsim kishte nisur më 25 gusht, me kërkesat për 100 euro shtesë deri në hyrjen fuqi të ligjit të pagave, gjë e cila është hedhur poshtë nga Qeveria, e cila ka ofruar një zgjidhje prej 50 eurosh, me premtimin se një gjë e tillë do të shikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në varësi të shkallës së inflacionit.