Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot do të marrë pjesë në forumin rajonal politik dhe të sigurisë “2BS – Të jesh i sigurt” në Budva, Mal të Zi.

Petrovska do të mbajë fjalim në panelin “NATO i gatshëm për të ardhmen – i fuqishëm dhe rezistues”, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Rashko Koneviq dhe ministrin e Mbrojtjes të Bosnjë dhe Hercegovinës, Sifet Poxhiq, kumtoi Ministria e Mbrojtjes.

Forumi i këtij viti do të mbulojë disa tema dhe fusha që paraqesin sfidë për sigurinë rajonale dhe globale, si lufta në Ukrainë dhe pasojat në Ballkanin Perëndimor, lufta kundër dezinformimit, perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, përgjegjësia e agjencive të inteligjencës në Ballkanin Perëndimor, konkurrenca e madhe gjeostrategjike, rëndësia e aleancës midis Rusisë dhe Kinës, Ballkani i Hapur dhe të tjera.

Përveç ministres Petrovska, në forum do të marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë të lartë nga vendet e rajonit, mes të cilëve edhe presidentët e Sllovenisë dhe Malit të Zi, Borut Pahor dhe Milo Gjukanoviq, zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mirçea Xhoana, ministrat e mbrojtjes dhe ministrat e punëve të jashtme nga rajoni, përfaqësues të komunitetit akademik dhe ekspertë, ndërsa u paralajmërua se përmes video lidhjes do të kyçet presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski.

Këtë vit po mbahet forumi i dymbëdhjetë “2BS – Të jesh i sigurt”, i cili është forum vjetor i sigurisë, i organizuar nga Këshilli atlantik të Malit të Zi, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Mbrojtjes.