Kurti kujton rektorin Statovci: Përkulemi me krenari, sepse ishim me fat që e patëm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar profesorin e ndjerë, Ejup Statovcin, me rastin e 25-vjetorit të protestave studentore.


Kurti zgjodhi fjalët më të mira për ish-rektorin teksa e cilëson si figurë të jashtëzakonshme në kohën e duhur, që si askush tjetër para tij e pas tij, ishte gjithmonë bashkë me studentët dhe në ballë të ndryshimeve të domosdoshme demokratike e kombëtare, njofton Klankosova.tv.

“Ai ishte edhe trim edhe i urtë, edhe institucionalist edhe kryengritës, edhe akademik edhe intelektual. Figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur, që si askush tjetër para tij e pas tij, ishte gjithmonë bashkë me studentët dhe në ballë të ndryshimeve të domosdoshme demokratike e kombëtare. Andaj sot kur e shënojmë 25 vjetorin e 1 tetorit të vitit 1997, padyshim se e kujtojmë me shumë mall dhe i përkulemi me krenari, sepse ishim me shumë shumë fat që e patëm”.

“Profesor Ejup Statovci në këtë tetor do të bëhej 82 vjeç, por ai ndërroi jetë pa u bërë 60 vjeç. Veçse ato dekada të jetës së tij ia kanë vlejtur fort, jo vetëm për të e për familjen e tij, por për universitetin, për Kosovën, për studentët, për popullin dhe për mbarë kombin shqiptar”, tha Kurti.

Në kujtim të protestës studentore, Kurti së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, familjarët e profesorit Statovci, profesoreshën Drita Halimi Statovci, si dhe pjesëmarrësit e tjerë të kësaj proteste, Ahmet Geca, Bujar Dugolli, Drita Statovci, Driton Lajçi, Ernest Luma, Fatban Bunjaku, Jeton Rexha, Mentor Bogaj, Mihane Salihu dhe Milot Cakaj, nderuan profesorin Ejup Statovci, që ishte në ballë të universitetit më 1991 dhe të protestave më 1997.