Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Kryetari Konjufca e ka falënderuar ambasadorin Guerot për përkrahjen të cilën Franca ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe rrugëtimit drejt integrimeve evropiane.

Kryetari i Kuvendit tha se presin nga shteti francez mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës meqë janë përmbushur tashmë të gjitha kriteret e kërkuara.

“E po ashtu edhe përkrahjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës, BE, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kryetari Konjufca dhe ambasadori Guerot konfirmuan përkushtimin dhe gatishmërinë për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në sfera të interesit të përbashkët. ​