Inflacioni po ua zbraz xhepat, nga muaji në muaj jetojnë gjithnjë e më vështirë

Rritja e përditshme e çmimeve të produkteve është shkak për inflacionin e lartë i cili më së shumti godet qytetarët. Shpenzimet për jetë në shtator të këtij viti, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, janë rritur për 18,7%, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë për 14,7%, thuhet në raportin e Entit për Statistikë. Krahasuar me gushtin e këtij viti, shpenzimet janë rritur për 1,6% ndërsa çmimet me pakicë janë ulur për 0,1%. Në shtator të vitit të kaluar çmimi i bukës nga mielli i grurit ishte 53 denarë, ndërsa tani 91 denarë. Çmimi i miellit të grurit TIP 500 ishte 33, ndërsa për momentin është 46 denarë. Djathi nga 320 denarë u shtrenjtua në 408 denarë, kaçkavalli nga 415 në 514. Qumështi në shtator vitin e kaluar ishte 53, ndërsa tani 69, ndërsa çmimi i vajit për gatim nga 92 në 143 denarë.


Shtator 2021 Shtator 2022

BUKË (MIELL GRURI) 53 denarë 91 denarë

MIELLI I GRURIT TIP 500 33 denarë 46 denarë

DJATHË 320 denarë 408 denarë

KAÇKAVALL 415 denarë 514 denarë

QUMËSHT 53 denarë 69 denarë

VAJ PËR GATIM 92 denarë 143 denarë

Qytetarët thonë se masat e Qeverisë nuk mjaftojnë që ta zbusin goditjen vjen nga rritja e çmimeve të produkteve themelore për jetë.

-Gjithçka është e shtrenjtë… U shtrenjtua 100%.

-Me 2000 denarë çfarë mund të blini?

-Një qese.

-Nuk i besoj asnjë politike në këtë vend.

-A janë shtrenjtuar produktet?

-Nuk mund t’i përballojmë.

-Do të sillet, por kjo është shumë pak. Masa nuk mjafton. Çmimet themelore, duhet të shihet se si t’u ndihmohet prodhuesve të qumështit, ky është i vetmi kusht që të ulet çmimi.

-Unë kam punuar në atë industri e di se çmimet janë tepër të larta. Mendoj se nuk përputhen me gjendjet reale. Shpenzimet janë rritur në mënyrë artificiale.

TV21: Si të mbijetojnë qytetarët?

Ky është art. Vështirë, shumë e vështirë.

TV21: A duhet masa të reja?

-Absolutisht. Duhet të kujdesen për çdo denar të buxhetit, të investohet atje ku do të ketë më shumë efekte. Nuk mund të zgjidhen gjendjet ad-hok, atje ku ka ngecje duhet të reagohet menjëherë. Kjo bëhet me strategji, gjatë tërë vitit. Ky është roli i qeverisë.

Ekspertët alarmojnë se shtrenjtimi do të vazhdojë, por nuk presin rritje serioze të çmimeve.

“Ne duhet të merremi më shumë me reformat, reforma më të thella duke filluar nga infrastruktura administrative ose juridike, deri tek investimet kapitale. Reforma të sistemit tatimor, politikës fiskale, menaxhim më të mirë të parave të buxhetit, ne si shtet duhet të kursejmë më shumë sa u përket projekteve, çdo denar i shpenzuar duhet ta japë efektin e tij dhe ne ta shohim këtë”, tha Abil Baush, ekspert ekonomik.

Sipas Baushit, do të kishte një stabilizim gradual në vitin 2024.

“Efektet e inflacionit nuk do t’i shohim ende, inflacioni do të zgjasë deri në vitin 2023, tashmë kemi një inflacion të qëndrueshëm, dyshifror, por tashmë po hyjmë në një fazë të qëndrueshme, këtë e kemi parashikuar edhe më parë. Tashmë në vitin 2023 presim të kemi inflacion njëshifror, nuk do të kemi rimëkëmbje më të mirë ekonomike, por kjo pritet në vitin 2024 kur do të ë kemi një rikuperim ekonomik dhe të dalim nga kjo fazë e recesionit”, shtoi Baush.

Për të zbutur goditjen e çmimeve, qeveria kufizoi marzhet për produktet bazë. I kufizuar ka qenë edhe eksporti i disa produkteve si gruri, mielli, dru për ngrohje dhe peletet, ndërsa dje në mbledhjen e qeverisë është marrë vendim për ngrirjen e marzheve të qumështit dhe produkteve të qumështit. Por pavarësisht vendimeve të tilla, përqindja e inflacionit po rritet nga muaji në muaj. Edhe pse qeveria shpalli një pako masash ndihmë për qytetarët dhe ekonominë në shtator, ato ende askund nuk janë.