Gjykata Kushtetuese sot ka dërguar letra deri te Këshilli Gjyqësor dhe Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me të cilat i lajmëron për skadimin e mandatit të gjykatëses Vangelina Markudova, më 7 dhjetor të vitit 2022. Me skadimin e mandatit, Gjykata Kushtetuese do të mbet me vetëm 4 gjyqtarë kushtetues nga gjithsej 9, që nënkupton se nuk do të ketë kuorum për mbajtjen e seancave, njofton Portalb.mk.

“Në pajtueshmëri me këtë, është dorëzuar njoftim deri te Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut si propozues i autorizuar, se janë plotësuar kushtet për fillimin e procedurës për konstatimin e propozimit për zgjedhje të gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese në pajtueshmëri me alinenë 7 pika 1 të Amendamentit XXIX të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Njëkohësisht, pa hyrë në kompetencat dhe mënyrën e punës së Kuvendit edhe në këtë rast ju tregoj dhe këshilloj për gjendjen alarmante në të cilën ndodhet Gjykata Kushtetuese për shkak të moszgjedhjes së katër gjykatësve kushtetues tanimë 17 muaj”, shkruan kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.

Ajo ka apeluar deri te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi që sa më shpejtë Kuvendi të zgjedh pesë gjykatës kushtetuese që të parandalohet kriza kushtetuese në shtet.

“Apeloj në qasje serioze nga ana e të gjithë deputetëve ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe pres që t’i zgjedhni të gjithë pesë gjyqtarët kushtetues, pasi që me skadimin e mandatit të gjykatëses Markudova më 7 dhjetor të këtij viti, shteti do të gjendet në krizë kushtetuese. Si pasojë e kësaj, nuk do të ketë kushte për mbajtjen e seancave dhe Gjykata do të pamundësohet të kryejë kontroll ndaj ligjeve dhe dispozitave dhe t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve”, shkruan Kacarska.

Nga ana tjetër në Komisionin Kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime, vazhdon filibasteringu i opozitës për kandidatin e fundit për gjykatës kushtetues, gjegjësisht LubomirJoveski, i cili aktualisht e ushtron detyrën e prokurorit shtetëror. Tatjana Vasiq – Bozaxhieva, e cila punon në Ministrinë e Drejtësisë si këshilltar shtetëror dhe Fatmir Skender, i cili është gjykatës aktual në Gjykatën e Apelit në Shkup , u përkrahën nga shumica parlamentare në Komision.

Pasi të mbarojë diskutimi në Komision edhe për Joveskin, i cili kur të vijë në votim pritet të marrë mbështetje nga ky trup kuvendor, tre propozimet për gjykatës kushtetues më pas duhet që të votohen në seancë kuvendore.

Tre gjyqtarët duhet t’i plotësojnë vendet e tashmë ish-gjyqtarëve Sali Murati, Elena Gosheva dhe Nikolla Ivanovski, mandati i të cilëve skadoi në fund të majit 2021. Vitin e kaluar në qershor ishte caktuar seancë për përcaktimin e propozimeve për vendet e lira, por seanca filloi në atmosferë të tensionuar dhe më pas u ndërpre. Më pas ishin zgjedhjet lokale, ristrukturimi i shumicës në Kuvend dhe ndryshimet në përbërjen e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Në ndërkohë ka skaduar edhe mandati nëntëvjeçar i gjyqtarit Jovan Josifovski, i cili u largua nga Kushtetuesja në fund të janarit të këtij viti. Më 7 dhjetor të këtij viti i skadon mandati gjyqtares Vangelina Markudova dhe nëse deri atëherë nuk zgjedhen gjyqtarët, Gjykata Kushtetuese mbetet pa kuorum, me çka një numër i madh nismash të dorëzuara nuk do të mund të votohen.