Koalicion të gjerë me të gjitha partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare të opozitës dhe spektrit të djathtë synon kryedemokrati Sali Berisha për të garuar në zgjedhjet e ardhshme vendore. në një deklaratë për mediat kreu i selisë blu tha se këto dy-tre ditë do të diskutojë me aleatët rreth modaliteteve për t’u futur në zgjedhjet e 2023-it.

“Opozita nuk i emëron si Rama por do t’i zgjedhë me qytetarët. Ne miratuam procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve nëpërmjet primareve, shënuam një hap jashtëzakonisht të madh përpara duke njohur të drejtën e simpatizantëve dhe sjellim një risi thelbësore në interesin më të mirë të demokracisë. Ne jemi në konsultime me aleatët të përcaktojmë format e daljes në një garë të suksesshme. Është gjithë spektri politik i djathtë janë partitë politike parlamentare dhe jo parlamentare të opozitës. Do të kemi koalicion të gjerë”.

I pyetur nga gazetarët nëse Rama do të konfirmojë sërish Veliajn për Bashkinë e Tiranës, Berisha u përgjigj se e vërteta është që mbetet Rama të konfirmohet nga Veliaj, ndërsa këtë të fundit e konsideroi si fatkeqësinë më të madhe të kryeqytetit.

“Nuk e besoj që Rama të konfirmojë Veliajn. Siç e shihni e vërteta është që mbetet Rama të konfirmohet nga Veliaj. Kthehemi pak te beteja që nisi, promovoi Ballukun si zgjedhjen e tij. Ballukun e degdisi në Dibër Veliaj, Rama e solli në Tiranë Ballukun. Nisi betejën me kullat, Veliaj i tha; vazhdo katet janë të tuat dhe unë do t’i nxjerr, se te kullat Rama ka fjalën finale. Ajo që ju e konsideruat si betejë kundër Veliajt, Veliaj e ktheu në betejë kundër Ramës. Balancat janë spostuar në favor të një njeriu që është fatkeqësia më e madhe e qytetit të Tiranës”.

I pyetur gjithashtu nëse ka një koment për disa takime që ka nisur Lulzim Basha me disa anëtarë të PD-së, Berisha tha se i vetmi koment është që të bëjë transparent problemin e fondeve ruse.

“I vetmi koment që kam unë për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze. E them në mënyrë të vendosur. Unë nuk kam komunikuar kohët e fundit, por Komisioni i Auditit i krijuar për këtë qëllim atij do ti japë të drejtën të shpjegojë këtë aktakuzë të rëndë, por tërësisht personale, pasi është faktuar se ajo nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion të PD, nuk ka hyrë dhe dalë nga arka e PD, asnjë qindarkë. Kjo është e sigurt. Unë mendoj se është e domosdoshme që ai të sqarojë këtë akuzë të përsëritur, tashme. U bë njëherë nga gazetarë të Mother Jones, por tani nuk janë gazetarë, por shërbime inteligjente të SHBA. Nuk kam asnjë lloj impresioni. U thashë edhe njëherë, me Bashën kam vetëm këtë problem, për sa kohë ai është anëtar i PD-së dhe deputet i grupit të PD, ai duhet të bëjë transparencë dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm. Nuk mund të pranohet një gjë e tillë pa u sqaruar. Të gjithë presin këtë sqarim”, tha Berisha.