Vuçiq: Nga Lajçaku dhe të dërguarit e Macronit dhe Scholzit mora propozim për kornizë të re bisedimesh me Kosovën

Presidenti i Serbisë Alexander Vuçiq tha se mbrëmë ka pasur një bisedë me përfaqësuesit e Macron, Scholz dhe Lajçak dhe se nga ta ka marrë një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel, e cila, tha ai, duhet të çojë në zgjidhjen përfundimtare të problemit dhe të gjitha çështjeve të pazgjidhura që lidhen me Kosovën.

“Biseda nuk ishte aspak e lehtë, por në thelb mund të them disa gjëra: Përfaqësuesit e vendeve më të fuqishme evropiane, të cilët theksuan se kanë mbështetjen e ShBA-së dhe Turqisë për këtë, besojnë se në kushtet kur ka një luftë në Evropë, nuk ka nevojë për konflikte të reja dhe se është e nevojshme të arrihet zgjidhja më e shpejtë e mundshme. Unë dua ta zgjidh problemin sepse ka luftë në Evropë, ndoshta ne në Serbi nuk e kuptojmë këtë, Evropa duhet të mbrohet dhe në përputhje me atë zgjidhje të mundshme, ata do të shmangnin mundësinë për t’i dhënë një përgjigje të qartë presidentit Putin në lidhje me precedentin ligjor dhe dhënien e pavarësisë së Kosovës, pas kësaj do të thoshin – u arrit marrëveshja, që në gjithë këtë të bëhemi edhe një herë dëmi kolateral i konflikteve të të mëdhenjve dhe i sjelljes së tyre joparimore nga e kaluara”, theksoi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se Kosova “i ka shkelur të gjitha marrëveshjet”.

“Nuk ka gjë që të mos kenë shkelur dhe këtë e dinë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu thotë se serbët nuk janë të interesuar për ndërrimin e targave.

“Në orën 08:00 të datës 10 shtator dy persona kanë raportuar për ndërrimin e targave, njëri nga veriu dhe tjetri nga jugu i Kosovës dhe personi nga veriu është anëtar i institucioneve shqiptare… Nga serbët nuk ka njeri që dëshiron të ndërrojë targat”, tha Vuçiq.