Veterinarët morën premtim nga Qeveria për takim

Pas marrjes së premtimit se do të priten sa më shpejt nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, veterinerët pasditen e sotme u larguan nga Qeveria.


Para se të nisen për në Qeveri, veterinarët ishin para Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për të takuar drejtorin Nikollçe Babovski, me të cilin nuk janë takuar.

Ata kanë bërë të ditur se nuk do të shkojnë te ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski, sepse kanë marrë informacione se ai është jashtë Shkupit.

Veterinarët kërkojnë miratimin e metodologjisë së çmimit të përcaktuar tashmë, një rritje të menjëhershme me 30 për qind të të gjitha çmimeve për shërbimet veterinare parandaluese që përballohen nga buxheti i shtetit, si dhe bashkëfinancim 50 për qind të vaksinimit kundër enterotoksemisë te dhentë dhe dhitë.

Ata sot kanë mbajtur një takim ku edhe një herë kanë paralajmëruar se janë në gjendje shumë të keqe financiare dhe materiale dhe se mbijetesa e tyre është në pikëpyetje. Në takim nuk ka ardhur drejtori i AUV-së, Babovski, ndonëse, siç theksojnë veterinerët, ka qenë i ftuar siç duhet.

“Drejtori i AUV-së është penguar të vijë sot në mbledhjen tonë. Kështu shkuam tek ai. Pasi nuk arritëm të mbajmë takim, jemi drejtuar në Qeveri, ku presim që dikush të na pranojë dhe të dëgjojë kërkesat tona, deklaroi për MIA-n, drejtori ekzekutiv i Odës, Tomisllav Nikollovski.

Oda veterinare ka paralajmëruar vazhdimisht se sektori është në prag të kolapsit dhe se mbijetesa e shoqërive veterinare është në pikëpyetje, e cila mund të ketë implikime të paparashikueshme për blegtorinë, si dhe për përballimin e sfidave aktuale dhe të ardhshme shëndetësore. Oda i ka reaguar edhe me shkresë kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë.