Veshalla lëngon nga plaga e mërgimit

MERXHAN JAKUPI
Veshalla e Tetovës, një fshat i largët i Malësisë së Sharrit, gjendet mes trekëndëshit të zonës kufitare Maqedoni-Shqipëri-Kosovë. Ky fshat konsiderohet si një ndër vendbanimet më të vjetra, ku lidhet rruga e vjetër malore, ndërmjet Tetovës dhe Prizrenit. Veshalla ka qenë e banuar që nga periudhat e hershme ilire, ndaj dhe është një popullatë autoktone shqiptare. Gjatë shekujve ka kaluar shumë sfida jetësore dhe ka një histori të begatshme. Si pjesë e trungut të kombit, veshallasit deri në ditët e sotme kanë ruajtur vlerat, atributet, kodet dhe gjithë trashëgiminë shpirtërore e kombëtare.
Por, si i gjithë kombi shqiptar, edhe veshallasit lëngojnë nga plaga e mërgimit. Kjo plagë kullon që nga periudha e Perandorisë Osmane, kur fshatarët braktisnin vendlindjen dhe mësynin në vende të ndryshme të perandorisë, si në Misir dhe Jemen, ndërsa kjo traditë vazhdoi edhe gjatë pushtimit sllav, deri në ditët e sotme, kur shumë krah pune u derdh në vendet e Evropës Perëndimore. Fluksi i të rinjve nga Veshalla që merr mërgimin po rritet vazhdimisht, kështu që për herë të parë në këtë vit shkollor në shkollën e fshatit nuk është regjistruar asnjë nxënës në klasën e parë, që është një indikator negativ se zbrazja e fshatit nga banorët e vet ka mbërritur kulmin. Kësisoj ka ndodhur një fenomen i çuditshëm me këtë fshat: tash, kushtimisht thënë, kemi tri Veshallla. Një Veshallë, autoktone që po zbrazet, një tjetër që ka zbritur në qytetin e Tetovës dhe një tjetër në mërgim, kryesisht në Zvicër (në qytetin Will të kantonit St. Gallen) dhe në pjesën lindore të Gjermanisë. Në këto vende perëndimore tashmë jetojnë e punojnë tre breza të veshallasve. Të parët kishin shkuar në vitet e gjashtëdhjeta, ndërsa fluksi u shtua gjatë periudhës 1970-1980, ndërsa gjatë viteve të nëntëdhjeta ata zunë t’i marrin edhe familjet e tyre. Në ato vite u zhvilluan luftime në republikat ish-jugosllave dhe ky ishte rast që nga vendlindja të largohen edhe rinia shkollore, intelektualë dhe profesionistë me shkolla të larta. Ndër ta ishin edhe Mahi Mustafa, docent universitar, aktualisht në HF Agogis të Universitetit të Sant Gallen-it. Brezi i dytë që erdhi me prindërit dhe u shkollua jashtë vendlindjes, në Zvicër apo Gjermani, kanë kryer shkollim sipëror në universitetet e atjeshme. Ata janë diplomuar dhe integruar në atë shoqëri, duke u angazhuar në vende të rëndësishme të punës. Ndër intelektualët jashtë vendlindjes janë edhe Dr. Amir Muharremi, menaxher në koncernën “Navartis”, Abdulla Shehapi, MAS FHSG, Ejup Ademi, menaxher në HAIR$ SKIN, Adhurim Ramadani, menaxher në Vontobol, Blerim Ahmeti, mjek ndihmës operator, Muharrem Muharremi, master internacional Bisiness, Controller Raiffeisen Schwiz, si dhe disa femra, ndër to Nexhmije Sulejmani, magjistre e kualifikuar për avokat, Hanife Ramizi, farmaciste, Alina Zenuni, me punë në BSC Biotechnologi në UNI SPITAL ZURICH, mësueset Sanije Rushiti dhe Samije Ademi e të tjera.
NË KONAKUN-MUZE TË IDRIZ OSMANIT
Është një fenomen që po ndodh te brezi i dytë i mërgimtarëve. Ata kanë shkuar jashtë në moshë të re ose atje kanë lindur, në Perëndim. Megjithatë, ata kanë bartur traditat e prindërve të tyre, ndonëse janë rritur paralelisht me dy kultura të ndryshme. Ata mburren dhe krenohen me prejardhjen e tyre, me identitetin që kanë. Edhe ata që kanë lindur jashtë, mbajnë identitetin dhe dashurinë ndaj vendlindjes së prindërve të tyre. Ky brez vazhdon t’i ruajë vlerat kulturore dhe trashëgiminë e të parëve. Njëri prej tyre, Idriz Osmani, është i pasionuar ndaj folklorit, këngëve dhe valleve të vjetra shqiptare. Ai ka rregulluar në Zvicër një dhomë të veçantë, të cilën e quan Oda e Burrave, ku ka një koleksion të pasur me elemente dhe trashëgimi nga folklori ynë. Te ai shkojnë për vizitë shumë personalitete të njohura, këngëtarë dhe rapsodë.
Brezi i parë i veshallasve para tri dekadash themeloi Shoqatën Humanitare të Veshallës. Kjo shoqatë ka ndihmuar dhe kontribuuar me bamirësi katundin e vet, por edhe viset e tjera sipas nevojës. Gjatë pushimeve të verës, kur u kthyen mërgimtarët në vendlindje, në vitin 2021, organizuan një manifestim kulturor-artistik, sikundër edhe më 24 korrik të vitit 2022, kur u mbajt një manifestim madhështor, me moton: “Veshalla – vatra jonë që na bashkon”. Kryetari i kësaj shoqate, Nail Sulejmani, tha se këto manifestime do të vazhdojnë edhe më tej, për çdo vit, sa herë që të vijnë mërgimtarët tanë, duke e shndërruar atë në një manifestim tradicional. Në saje të aktivitetit të kësaj shoqate, më 3 nëntor 2022 do të mbahet në qytetin Will të kantonit St. Gallen një manifestim kushtuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit kombëtar. Me këtë rast, kryetari i shoqatës, Sulejmani u shprehu mirënjohje r të gjithë aktivistëve që u angazhuan në këto manifestime, për kontributin e tyre të drejtpërdrejtë, guximit dhe punën e palodhshme, sidomos ish-kryetarit Selim Selimit, Adem Rushanit, Idris Osmanit, Said Ramadanit, Bexhet Sallaut, Mahi Rakipit, Besar Asanit, drejtor i shkollës, Shefjet Ramadanit, Senad Dautit etj.
TAKIMI I TRE BREZAVE
Pikërisht më 24 korrik, Veshalla si asnjëherë më parë, mori një gjallëri prej njerëzish të tubuar, që përkujtonte ato vite kur ky vendbanim ishte gjallë, me shumë burra, gra e fëmijë. Atë ditë fshatit iu kthye krenaria dhe bujaria. Qysh në mëngjes, nga rrafshi, qendra komunale, qyteti i më shumë katundeve, Tetova, ishte nisur karvani i makinave, me ata që kishin lindur në atë fshat dhe që jetonin në qytet, me rrugën e asfaltit, drejt shpateve të Sharrit, për të arritur në këtë vendbanim të strukur në parzmën e maleve të larta. Sapo arrije në fshat, dëgjohej ushtima e lodrave dhe zëri melankolik i curleve, që katundarëve ua kishte kthyer buzëqeshjen, në atë mjedis ku spikateshin Guri Dinak dhe Guri i Gjatë. Nga diaspora kishin ardhur të tre brezat e atyre që kishin origjinën nga ky fshat. Ishte brezi i parë, në moshë të shtyrë dhe i rralluar, pastaj brezi i dytë dhe i tretë, që kishin hedhur valles dhe këngës. Fjalët këmbeheshin me zëra të lartë, ndaj dhe mund të dëgjohej gjuha shqipe e pastër, por edhe fjalë e zhargone nga gjermanishtja dhe italishtja. Pas shumë vitesh, veshallasit e shpërndarë në të katër anët, kishin ardhur nga Gjermania, Zvicra, Italia etj., për t’u tubuar në fshatin e të parëve. U takuan gjysh, baballarë, nipa e farefis, tok, me një vend, për të marrë pjesë në një manifestim madhështor. Kishte shumë përqafime dhe fisnikërim shpirtrash, në tokën e tyre të lashtë e të trashëguar brez pas brezi. Me një program të përzier me shumë pikë, u bë edhe promovimi i monografisë “Veshalla ndër shekuj” nga autori prof. dr. Vebi Bexheti, ku ishin të pranishëm shumë intelektualë, kritikë letrarë, gazetarë dhe personalitete të kulturës. Në atë vepër janë prezantuar vlera kulturore, autoktone, etnologjike dhe mikrotoponimi për këtë fshat.