Vazhdon debati për gjykatësit kushtetues! Opozita kritikon kandidatët e propozuar nga shumica

Tatjana Vasiq-Bozaxhieva është kandidatja për gjykatëse kushtetuese për të cilën debatoi sot Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Është e propozuar nga ana e shumicës parlamentare, ndërsa për VMRO-DPMNE është kandidate e propozuar direkt nga ish-kryeministri Zoran Zaev. Sipas deputetit Petar Risteski nga VMRO-DPMNE, pushtetit i duhen gjykatës të tillë të dëgjueshëm, ndërsa vlerëson se pikërisht për këtë arsye besueshmëria në sistemin e drejtësisë është 8%.

“Nga ajo që pash në biografinë e shkurtër të kandidates Tatjana Vasiq-Bozaxhieva munda të vërej një gjë, se ka punuar në shumë ministri në vend, duke nisur nga Ministria e Financave, e Drejtësisë, e Shëndetësisë dhe institucione tjera si në Kadastër, Entin për Revizion, megjithatë kjo biografi nuk më bind se Tatjana Vasiq-Bozaxhieva është juriste e shquar”, tha Petar Risteski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deputeti nga radhët e shumicës parlamentare, Pançe Minov tha se kolegët e tij nga opozita e kanë gojën plot kur flasin për mosfunksionimin e institucioneve dhe sistemin gjyqësor në vend, ndërsa janë vetë ata që e bllokojnë punën.

“Është shumë kontradiktor sepse me diskutime të tilla, me zvarritje dhe paefikastitet në Komision, në lidhje me zgjedhjen e kandidatëve për gjykatës kushtetues, përsëri e bllokoni dhe nuk e lejojnë, gjegjësisht e zvarrisin funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Pançe Minov, deputet i LSDM-së.

Deri tani debati është shterur për 2 kandidatë, prej të cilëve ka kaluar vetëm kandidati i propozuar nga LSDM, Fatmir Skender, ndërsa profesoresha Rodna Zhivkovka e propozuar nga VMRO-DPMNE nuk morri mbështetje nga Komisioni. Nga gjithsej 9 kandidatë, vetëm 3 duhet të zgjidhen për të qenë gjykatës kushtetues. Në mesin e kandidatëve të propozuar nga LSDM është edhe prokurori republikan Lubomir Joveski.