Turqia e Erdoganit po tallet me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës

Nga Henri J.Barkey “National Interest”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Georges Clemenceau, një burrështetas dhe udhëheqës ushtarak francez i Luftës së Parë Botërore, vlerësohet për thënien e tij të famshme “Drejtësia ushtarake është për drejtësinë, ajo që është muzika ushtarake për muzikën”. Sidomos pas Çështjes Dreyfus, kjo thënie pasqyronte njëfarë neverie ndaj drejtësisë ushtarake.

Që atëherë kanë ndodhur shumë gjëra. Sot në shumë vende, sistemi i drejtësisë përdoret qëllimisht si një armë nga qeveritë për të përndjekur, burgosur dhe margjinalizuar kundërshtarët realë dhe ata imagjinarë, si dhe cilindo që nuk përputhet me botëkuptimin e grupimit që është në pushtet.

Sistemi i drejtësisë përdoret në mënyrë arbitrare, të paparashikueshme dhe mizore për ta frikësuar popullsinë. Por përdoret gjithashtu edhe për të mbrojtur nga ligji mbështetësit e regjimit. Ajo që është krim është në syrin e një vëzhguesi, vetëm një sy është ai që ka rëndësi, ai i regjimit, raporton abcnews.al.

Ne nuk habitemi nëse kjo ndodh në Burma, vend që drejtohet aktualisht nga një regjim ushtarak brutal, apo në Kinën autokratike. Megjithatë, ajo po bëhet gjithnjë e më e dukshme edhe në vendet ku janë në rritje udhëheqësit populistë, dhe në ato vende ku ata kanë arritur me sukses të marrin kontrollin e institucioneve, që në rrethana të tjera duhet të ishin të pavarura.

Një nga shembujt më flagrant është Turqia e sotme. Javën e kaluar, Gülşen, një këngëtare dhe kompozitore e njohur për mbështetjen e saj ndaj politikave feministe, veshjeve të guximshme në skenë, dhe për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, u arrestua, u ndalua në paraburgim dhe pas 3 ditësh, u vendos në arrest shtëpiak në pritje të gjykimit, për shkak të një batutë të shkëmbyer në skenë me një anëtar të grupit të saj muzikor.

Ngjarja në fjalë ndodhi në fillim të këtij viti, në prill, kur ajo tha me shaka duke iu referuar Erdogan se “Ai ka studiuar më parë në një Imam Hatip (shkollë fetare). Dhe nga kjo buron edhe sjellja e tij çoroditëse”. Të injoruara në atë kohë, komentet e saj morën papritur rëndësi në një fushatë publike nga shtypi konservator pro-qeveritar dhe anëtarët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet për ta ndëshkuar këngëtaren.

Siç vunë në dukje shumë kritikë të arrestimit të saj, burrat që abuzojnë ose vrasin bashkëshortet e tyre trajtohen më mirë nga drejtësia turke, pasi shpeshherë nuk burgosen. Një prokuror 20 e ca vjeçar, që është diplomuar në fakultetin e drejtësisë vetëm në vitin 2018, dhe nisi shpejt ngjitjen e shkallës së karrierës deri në pozicionin aktual që lakmohet shumë në Stamboll, u detyrua nga turma e fanatikëve online që ta burgoste gruan.

Më herët po ky prokuror ishte bërë i njohur për burgosjen për 49 ditë të gazetares së njohur turke, Sedef Kabas, që gjatë një emisioni politik televiziv përdori një fjalë të urtë, e cila u interpretua si një kritikë ndaj presidentit të vendit Rexhep Tajip Erdogan, raporton abcnews.al.

Në fillim të këtij viti, Canan Kaftancioglu, që mendohet si një nga drejtueset ardhshme të opozitës, dhe udhëheqëse e organizatës së së gruas së partisë kryesore opozitare të Stambollit, u dënua me gati 5 vjet burg dhe është përjashtuar nga politika, e akuzuar ndër të tjera për “fyerje të presidentit”.

Gjyqi ndaj saj kishte filluar që në vitin 2019 – kur AKP kishte pësuar një humbje poshtëruese në zgjedhjet lokale në Stamboll – për shkak të një ripostimi që ajo e kishte bërë për herë të parë rreth 7 vjet më parë. Burgjet turke janë plot me njerëz, që janë atje, vetëm sepse janë kundërshtarë të Erdogan.

Ata priren të jenë politikanë kurdë, shkrimtarë dhe udhëheqës të shoqërisë civile, si dhe gazetarë të të gjitha shtresave. Çdo ditë, media raporton për arrestime të personave të akuzuar në bazë të ligjeve kundër terrorizmit, edhe nëse “krimi” i tyre i vetëm është se kanë shkruar ose u janë bashkuar organizatave që janë kritike ndaj politikave të qeverisë aktuale, në lidhje me ato që konsiderohen si çështje të ndjeshme.

Shpeshherë për veprimet e qeverisë nuk ka ndonjë arsye konkrete. Vetëm këtë verë, autoritetet kanë ndaluar rreth 17 koncerte rajonale. Profesorët universitarë në institucionet publike janë shkarkuar, disa për shkak se kanë firmosur një peticion që qeveria nuk e pëlqeu, ose siç e tregojnë trazirat aktuale në Universitetin e Bogazici, ndoshta një nga dy institucionet më të mira arsimore në vend, qeveria po e spastron atë nga lektorët dhe pedagogët, që ajo mendon se nuk i janë besnikë, raporton abcnews.al.

Rastet më flagrante të burgosjeve të padrejta janë ato të Selahattin Demirtas, kreut të partisë së tretë më të madhe politike në vend, partisë pro-kurde Demokracia Popullore, dhe të Osman Kavala, një drejtues i njohur i shoqërisë civile.

Demirtas u burgos për shkak të një hakmarrjeje personale të Erdogan, që u zemërua me kundërshtimin e Demirtas ndaj synimit të tij për lënë postin e kryeministrit dhe për të marrë atë të presidentit. Ndërkohë Kavala qëndron në burg, thjesht sepse Erdogan duhet të drejtojë gishtin ndaj dikujt për protestat e mëdha popullore anti-qeveritare në Parkun Gezi gjatë vitit 2013.

Çështja Kavala është një nga ato që do të trondiste realisht çdo ekspert ligjor, gjyqtar apo avokat në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës. Unë vetë e di ketë, pasi u akuzova bashkë me të në një moment, për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në korrikun e 2016-ës. Aktakuza nuk u ndërtua mbi asgjë tjetër veçse mbi “fakte” dhe nënkuptime të prodhuara. Natyrisht, duke përfshirë akuzën se ai është një agjent i George Soros në Turqi. Vetë Erdogan ndërhyri drejtpërdrejt gjatë procesit gjyqësor, në shkallën e parë dhe apel, duke sulmuar publikisht lidhjet e Sorosit me Kavala, dhe duke e pohuar me zë të lartë fajin e tij, raporton abcnews.al.

Verdikti u dha, dhe Kavala u dënua me burgim të përjetshëm. Turqia nuk është Burma. Ajo është një nga anëtaret kryesore të NATO-s, aleanca më e rëndësishme e Perëndimit, dhe ka asete gjeopolitike shumë të rëndësishme. Prandaj, Ankaraja mund ta injorojë lehtësisht vendimet kundër saj të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me rastin Kavala.

Mos harroni se Kushtetuta turke, thotë se Turqia është e detyruar t’u përmbahet vendimeve të atij organi. Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (HSYK), pati këtë javë guximin të paralajmëronte kritikët për burgosjen e Gülşen, duke i kujtuar të gjithëve se drejtësia turke është “e pavarur”.

Vështirësitë aktuale të sistemit të drejtësisë turke, janë një paralajmërim për të gjithë, madje edhe për vendet demokratike, se shteti i së drejtës mund të minohet lehtësisht nga liderët populistë që politizojnë me sukses gjithçka.

Shënim: Henri J.Barkey, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Lehigh Universitety, dhe bashkëpunëtor për studimet në Lindjen e Mesme në “Council of Foreign Relations”.