Shkruan: Florim Zeqa 30.09.2022

Përderisa ne po mirremi me grevën dhe më njërit-tjetrin, gjegjsisht se cili ta mundim ma lehtë me ndërskamca politike njëri-tjetrin dhe të ndjehemi “hero” të kohës, Serbia dhe Rusia po nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi dhe po bëjnë projekte për ri-aneksimin e territoreve shqiptare!

As kërcënimet nuk po na zgjojnë nga agonia e thellë

Përderisa është kështu, insitucionet e sigurisë në Kosovë, AKI, Policia e Kosovës dhe FSK-ja duhet të jenë në gatishmëri të plotë dhe jo vetëm. Edhe qytetarët duhet të vetëdijësohen e të mos i shikojnë me kurreshtje kacafytjet e pushtetit me opozitën, përkatësisht “betejat” e deputetëve në Kuvend, ku secili na paraqitet më patriot sesa tjetri, thuajse fati i botës është i varur nga patriotizmi i tyre!

Disa nga politikanët qëllimshëm po harrojnë se po jetojmë në kohëra të pasigurisë globale dhe rajonale, ku gjithçka mund të ndryshojë brenda natës nga invazioni befasues i Serbisë ndaj Kosovës!

Ata që janë mësuar t’iu vie “peshku n’pjatë” apo t’ju “zbresë mrekullia nga qielli” siq ka ndodhur në vitin 1999, do të mashtrohen keq, ngase ajo nuk do të përseritet asnjëherë më për shqiptarët!

Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar nga ministri i jashtëm serb Nikola Selakoviç dhe atij rus Sergej Lavrov në New York është një paralajmërim i keq, do të thoja ogurzi, për shkak se Serbia është duke pritur vetëm momentin e prishjes së konstalacioneve ushtarake dhe politike ndërkontinentale, në mënyrë që me armatimin e Rusisë dhe Kinës, të kryej një sulm të befasishëm ushtarak ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Ata që mendojnë se KFOR-i është në Kosovë, dhe se Serbia nuk do të guxoj ta bëjë asnjë lëvizje ushtarake, do të mashtrohen keq, për faktin se forcat paqeruajtëse tokësore të KFOR-it kanë hyrë në Kosovë vetëm pas marrëveshjes politiko-ushtarake mes gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të Serbisë në Kumanovë në fillim të qershorit të vitit 1999.

Çfarë dua të themë me ketë, fare lehtë mund të ndodhë ndonjë marrëveshje e re politiko-ushtarake, e cila do të ishte, sa befasuese po aq e dhimbshme për shqiptarët!

Shqiptarë, populli im i dashur, zgjohu nga gjumi sa nuk është bërë tepër vonë

Shqiptarë zgjohuni nga gjumi për t’i dalë në mbrojte shtetit nga pseudopatriotët dhe nga neo-jugosllavët e transformuar në “patriotë”, të cilët për mision e kanë kthimin e Serbisë në Kosovë. Kombi shqiptarë, e në veqanti Kosova është në rrezik, si asnjëherë më parë, nga pseudo-politikanët antikombëtarë!

Veprimet antikombëtare të kësaj klase politike janë pabarazia e qytetarëve dhe abuzimi me ligje, shfrytëzimi i ligjit për të kërcënuar dhe përçarë kombin, me çka po e dobësojnë fuqinë e popullit tonë në raport me pushtuesit tonë shekullorë.

Nga përfundimi i luftës, e në veqanti pas 17 shkurtit viti 2008 deri më sot, të gjitha qeveritë dhe politikanët me dallime fare të vogla, në vend të unitetit politik kanë mbjellur urrejtje përqarje në mesin e popullatës shqiptare, duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Rreziku i cili po na kanoset nga Serbia, është i ndihmuar nga pjella e keqe politike nën maskën e patriotizmit të rrejshëm. Andaj, shqiptarë zgjohuni nga gjumi për të mbijetuar si komb në trojet etnike. Mbase është momenti i fundit për vetëdijësim dhe reflektim sa nuk është bërë tepër vonë.

Në secilin vend të botës, në kohë kohë krizash unifikohet faktori politik dhe potenciali njerëzore për t’i dalë në mbrojtje kombit dhe shtetit, kurse ne shqiptarët në vend të kësaj, vazhdojmë të shpikim “armiq të brendshëm” për interesa meskine personale!

Edhe përkundër krizës globale dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, ne shqiptarët e bëjmë gjumin rehat, duke i thënë vetes “bëje Zot ëndërr”, por edhe nëse del zhgëndërr, e kemi KFOR-in që përkujdeset për mbrojtjen tonë!

Kësaj agonie të thellë shqiptare i ka kontribuar klasa e papërgjegjshme politike, e cila nuk e ka hallin e shtetit dhe as të kombit, e cila qytetarët e hipnotizuar i përdorë si skllevër në shërbim të politikave ditore, kurse në të njëjtën kohë mendjen e ka tek pasurimi i pakufijshëm dhe tek transferimi i milionave dhe miliardave të vjedhur në ‘Parajsat Fiskale’.