Shkoi në Mekë për të kryer pelegrinazh për shpirtin e Mbretëreshës Elizabeth, arrestohet

Autoritetet saudite kanë arrestuar një burrë që pretendonte se kishte udhëtuar në qytetin e shenjtë mysliman të Mekës për të kryer një pelegrinazh umre në emër të mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II.

Burri, një shtetas jemenas, publikoi të hënën një videoklip të tij në rrjetet sociale në Xhaminë e Madhe në Mekë, vendi më i shenjtë i Islamit, ku jomuslimanët janë të ndaluar.

Ai shfaqej me një pankartë në duar ku shkruhej: “Umra për shpirtin e Mbretëreshës Elizabeth II, lusim Zotin ta pranojë atë në parajsë dhe në mesin e të drejtëve”.

Pamjet u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale saudite, me përdoruesit e Twitter që bënin thirrje për arrestimin e burrit.

Arabia Saudite i ndalon pelegrinët në Mekë të mbajnë pankarta apo artikulojnë slogane.

Dhe ndërsa është e pranueshme që të kryhet umra në emër të muslimanëve të vdekur, kjo nuk vlen për jomuslimanët si mbretëresha, e cila ishte guvernatorja supreme e Kishës së Anglisë, kishës mëmë të bashkimit anglikan në mbarë botën.

Forcat e sigurisë në Xhaminë e Madhe “arrestuan një banor me kombësi jemenase, i cili u shfaq në një videoklip duke mbajtur një bander brenda Xhamisë së Madhe, duke shkelur rregulloret dhe udhëzimet për umren”, thuhet në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore të hënën vonë.

“Ai është arrestuar, ndaj tij janë marrë masa ligjore dhe është dërguar në prokurorinë publike”.

Televizioni shtetëror transmetoi segmente për incidentin që përfshinte videoklipin e diskutueshëm, por me baner të mjegulluar.

Umra është një pelegrinazh që mund të bëhet në çdo kohë, ndryshe nga haxhi, i cili zhvillohet një herë në vit dhe zakonisht tërheq miliona nga e gjithë bota.

Mbretëresha vdiq të enjten dhe funerali i saj është planifikuar për 19 shtator.