SHBA, 2 miliardë dollarë shtesë për sigurinë e Ukrainës dhe vendeve të tjera të rajonit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të japin 2 miliardë dollarë për të forcuar sigurinë e Ukrainës dhe 18 vendeve të tjera të rajonit. Njoftimi do të behet i ditur nga sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, sipas CNN.


Blinken bëri një udhëtim të papritur në Ukrainë – vizita e tij e tretë në vend që kur Rusia pushtoi vendin më shumë se gjashtë muaj më parë. Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, diplomati i lartë amerikan do të njoftojë paketën e re shtesë për financimin ushtarak të Ukrainës dhe 18 fqinjëvë të saj, duke përshirë shumë prej aleatëve të NATO-s.

Nga paketa e ndihmës së SHBA-së do të përfitojnë dhe partnerë të tjerë rajonalë të sigurisë, të cilët janë më të rrezikuar për agresionin e ardhshëm rus.

Ky financim i ri është si shtesë e paketës të fundit prej 675 milionë dollarësh të ndihmës për Ukrainën, i cili u njoftua nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, në një fjalim në Gjermani.

“Me miratimin e paketës së fundit të ndihmës së SHBA-së për Ukrainën, vlera arrin në rreth 15.2 miliardë dollarë”, tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.