Rusia kërkon mbështetjen e Kinës për luftën në Ukrainë, Putin në pritje të takimit me liderin kinez

Rusia po kërkon mbështetjen e Kinës në pushtimin e tyre në Ukrainë, derisa këtë javë pritet të mbahet një takim mes liderit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez, Xi Jinping.


Nevoja për ndihmë vjen në një periudhë kur ushtarët ukrainas po arrijnë t’i zmbrapsin një pjesë të madhe të ushtarëve rusë, raporton CNN, transmeton Reporteri.

Ukrainasit kanë arritur t’i dëbojnë ushtarët rusë të pozicionuar në qytetin e Iziumit, e kjo po del të jetë goditja më e fortë që ka pranuar Rusia që nga marsi.

Sidoqoftë, takimit mes presidentit rus dhe homologut të tij nga Kina që pritet të mbahet në Uzbekistan, i ka paraprirë një takim që kanë pasur disa zyrtarë të lartë kinezë dhe rusë.

E bazuar në deklarata të parlamentit rus, në këtë takim, një zyrtar i lartë kinez ka shprehur mbështetje të thellë për pushtimin e Rusisë në Ukrainë, mirëpo që kjo deklaratë ende nuk është mbështetur zyrtarisht nga pala kineze.

Ndërsa në një tjetër takim të mbajtur të enjten dhe të premten, mes ligjvënësit të lartë të Kinës, Li Zhanshu dhe atij rus, Vyacheslav Volodin, u tha se “Kina e kupton dhe e mbështet Rusinë për çështjet që përfaqësojnë interesat e saj jetike, veçanërisht për situatën në Ukrainë”.

“Ne shohim se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO po zgjerojnë praninë e tyre pranë kufijve rusë, duke kërcënuar seriozisht sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve rusë. Ne e kuptojmë plotësisht domosdoshmërinë e të gjitha masave të marra nga Rusia që synojnë mbrojtjen e interesave të saj, ne po ofrojmë ndihmën tonë”, citohet të ketë thënë Li.

Kujtojmë se Pekini ka refuzuar ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës – ose madje edhe t’i referohet asaj si “luftë”.