Disa ushtarë rusë të dërguar për të luftuar në Ukrainë sulmojnë Putinin dhe shprehin të gjithë dekurajimin e tyre në bisedat e dokumentuara dhe të publikuara nga New York Times.

Në bisedat audio të regjistruara dëgjohet një prej ushtarëve të thotë: “Ne jemi në Bucha. Mbrojtja jonë është bllokuar, ne po e humbim këtë luftë. Na kanë urdhëruar të vrasim të gjithë ata që shohim. Putini është një idiot. Ai dëshiron të marrë Kievin, por nuk ka asnjë mënyrë për ta bërë këtë”.

Një ushtar tjetër gjatë një bisede me nënën e tij i thotë: “Kjo luftë është zgjedhja më e keqe e qeverisë sonë. Kur do të përfundojë e gjithë kjo? Putin? Dreqin”. Gruaja përgjigjet se në Rusi mediat thonë se “gjithçka po shkon sipas planit”.

Thirrjet, sipas Adnkronos, janë analizuar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase dhe japin shkallën e humbjeve që forcat e armatosura ruse po regjistronin në fillim të luftës. Një ushtar nga Regjimenti 331 Ajror shpjegon se i gjithë batalioni i dytë prej 600 ushtarësh ishte “ekzekutuar”. Një tjetër, duke folur me një të afërm për numrin e të vdekurve, thotë se një në tre ushtarë në regjimentin e tij ka vdekur.