Përplasje në mes pushtetit dhe opozitës për vazhdimin e gjendjes së krizës në Maqedoni

Debati mes qeverisë dhe opozitës për shpalljen e krizës në sektorin e energjisë ka përfunduar ashtu siç ka nisur. Akuza dhe ofendime se kush është fajtori për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe masat e marra për uljen e efekteve negative.

Opozita njoftoi se krahas kësaj, do të votojë për zgjatjen e gjendjes së krizës deri në prill të vitit të ardhshëm, por akuzoi se qeveria do ta përdorë këtë për të negociuar tenderë në katër sy.

Shumica, nga ana tjetër, thotë se vazhdimi i kësaj situate ka rëndësie të madhe për qytetarët, pasi në dimër do të mund të sigurohet rrymë nga jashtë dhe të blihet qymyr, gaz dhe naftë.

“Ne duam të dëgjojmë plan dhe llogaridhënie. Përgjegjësi se ku shpenzohen paratë, ku do të përfundojnë paratë, nëse do të përfundojnë tek ato kompani ku duhet të prodhojnë energji elektrike, që situata e krizës të mos e mbajë atë titull”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me të gjithë, përfshirë edhe z. Mickoskin për ta tejkaluar këtë krizë sa më lehtë, edhe atë me të gjitha kompanitë, shtetërore ose lokale”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.