Palushi: E paqartë nëse Presidentja e shkeli kushtetutën kur komunikoi me Kica-Xhelilin për largimin nga “Guxo”

Juristi dhe njohësi i kushtetutës, Kushtrim Palushi ka komentuar komunikimin e presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit me deputetën Doarsa Kica-Xhelili në lidhje me largimin e kësaj të fundit nga “Guxo” dhe plotësisht nga Grupi Parlamentar për tu bashkangjitur në LDK.


Ai folur në lidhje me atë se a ka bërë presidentja në këtë rast shkelje kushtetuese, duke pranuar se kjo situatë ka shumë paqartësi.

“Kjo mundet mu konsideru shkelje për faktin se është takuar me një parti politike, por konteksti se për çka ka qenë ai takim, ajo mundet edhe me e arsyetu duke thënë që është takuar me një parti politike, sikurse me të gjitha të tjerat për të diskutuar çështje publike ose për një çështje të një interesi publik, kështuqë nuk është shkelje e qartë kushtetuese, sepse edhe kushtetuta nuk thotë që nuk mund të takohesh me parti politike, edhe Hashim Thaçi është takuar disa herë me PDK-në, prandaj nuk është situatë shumë e qartë juridike”, u shpreh ai.

Por, ai për Klankosova.tv tha se shkelje e qartë e Kushtetutës do të ishtë në rast se presidentja Osmani do të kërkonte një arysetim për largim nga deputetja Kica-Xhelili, përcjell Klankosova.tv.

“Nëse vetëm Doarsa i ka dërguar njoftim që po largohet nuk nënkupton ose nuk përbën shkelje kushtetuese, ndërkaq, nëse presidentja do të reagonte në lidhje me këtë çështje, atëherë situata do të ishte më ndryshe, sepse atëherë i bie që presidentja po interesohet për punë të brendshme të një partie politike, siç është Lista Guxo”, u shpreh ai.

Kujtojmë se Doarsa Kica-Xhelili mbrëmë në “Rubikon” me Adriatik Kelmendin në Klan Kosova u shpreh se është takuar me presidentën dhe i ka treguar që ka dhënë dorëheqje nga “Guxo” dhe se po e mendonte largimin e plotë nga Grupi Parlamentar. Madje, tha se e kishte njoftuar edhe me shkrim.

‘’Po. Nuk më kujtohet kur jam takuar me të por e di se kam pasur dy apo tre takime me të [Vjosa Osmani], lidhur me këtë çështje. Një herë ka qenë takimi ku i kam treguar që kam dhënë dorëheqje nga Guxo, e pastaj ka qenë një takim i radhës, ku iu kam thënë se jam duke e menduar daljen plotësisht nga Grupi Parlamentar dhe bashkëngjitjen në LDK”.

“Më pas ia kam konfirmuar edhe me shkrim që përfundimisht kam vendosur të dalë në LDK dhe kjo e gjitha pa qenë aspak në domenin publik, kjo informatë. Dhe jo vetëm presidentës, por edhe kryeministrit, sepse mendoj që korrektësia e tillë është më e pakëta që mund t’a bëjmë”, u shpreh tutje Daorsa./Klankosova.tv